Meta: Mesazhi i LSI është i përqendruar tek e ardhmja

Në vijim të fushatës për zgjedhjet në LSI, kryetari aktual i kësaj force politike, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me strukturat e saj në Kuçovë. Meta u shpreh se LSI është mjaft e konsoliduar në sytë e opinionit publik si një forcë tepër e përgjegjshme për të ardhmen europiane. “Mesazhi i LSI bën diferencë të madhe me mesazhet e të tjerëve sepse është një mesazh i cili është i përqendruar tek e ardhmja, tek e nesërmja. Është një mesazh që është i përqendruar tek zgjidhja e problemeve, dhe jo tek krijimi i problemeve të reja. Tani është koha që të kërkojmë një përfaqësim dhe një performancë të re nga të gjithë përfaqësuesit e LSI në të gjitha nivelet. Dhe përmes kësaj cilësie ne do të forcojmë akoma më tej imazhin e LSI dhe ky imazh do të jetë edhe mesazhi që duhet të perceptohet nga të gjithë”, – u shpreh z. Meta. Meta vlerësoi punën e bërë deri më tani nga strukturat, ndërsa kërkoi një angazhim edhe më të madh për të zhviluar një proces organizativ të shkëlqyer, transparent, por njëkohësisht edhe një proces politik reflektues. Gjatë këtij takimi, z. Nasip Naço shprehu bindjen se me një punë më të mirë organizative, LSI do të arrijë që të jetë forcë e parë në qarkun e Beratit për zgjedhjet e 2017-s. Në vazhdën e takimeve me strukturat e LSI-së, z. Ilir Meta u ndal edhe në Urën Vajgurore ku shprehu besimin për arritjen e rezultateve të kënaqshme, ndërsa kërkoi një impenjim edhe më të madh për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.

Advertisement