Kryetari i Kuvendit Ilir Meta kërkoi të martën gjatë një konference për shtyp,
që komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi të fillojë menjëherë nga puna për materializimin përfundimtar të rekomandimeve të draft-opinionit të Komisionit të Venecias.
Ai i bëri thirrje maxhorancës dhe opozitës, që për ato çështje që kanë kuptime apo interpretime të ndryshme, i kanë të gjitha mundësitë që të bashkëpunojnë dhe të konsultohen përsëri me ekspertët ndërkombëtarë të EURALIUS dhe OPDAT, për të gjetur zgjidhjet më të mira për të realizuar këtë reformë me rëndësi për të ardhmen europiane të vendit.
Por, shtoi kryetari i Kuvendit, ‘nëse duam të krijojmë pretekste dhe alibi, apo takticizma politike, kjo nuk na bashkon dhe nuk na çon drejt konsensusit. Duhet të çojmë përpara këtë reformë në interes të vendit. Çdo lëvizje që zhvendos debatin me qëllim apo pa dashje nga fokusi kryesor që është reforma në drejtësi është takticizëm politik.
Meta adresoi një falënderim të veçantë për gjithë ekspertët vendas dhe të huaj, sidomos ata të misioneve EURALIUS dhe OPDAT, për punën e madhe voluminoze dhe për adresimin e drejtë të çështjeve të shumta, që synojne të zgjidhin reformen në drejtësi, si dhe për kontributin dhe konsulencën e jashtëzakonshme të Komisionit të Venecias, si një udhërrëfyes i pakontestueshëm gjatë gjithë këtij procesi, në arritjen e standardeve më të mira europiane.
Tashmë, vijoi Meta, shtrohet çështja e miratimit pa vonesë të ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me konsensus sa më të gjerë, pasi nuk kemi kohë për të humbur.
I pyetur për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Meta, edhe në cilësinë e kryetarit të LSI-së, tha se kjo forcë politike gjithmonë ka mbështetur krijimin e kësaj strukture. “Për ne nuk ka rëndësi se në varësi të kujt do të jetë BKH, pasi e rëndësishme është që ajo të funksionojë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të votojmë çdo variant që i shërben këtij qëllimi dhe që ka mbështetjen edhe të ekspertëve ndërkombëtarë”, u shpreh ai.