Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta është paraqitur rreth orës 8 në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ai ka dëshmuar në lidhje me akuzat e Tom Doshit, se ka paguar për ta eliminuar atë dhe Deputetin Mhill Fufi.
Për afro 1 orë e gjysmë, Meta u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve në lidhje me akuzat. Pas dhënies së dëshmisë, ai tha se është i hapur për të bashkëpunuar me drejtësinë si dhe për t’u ballafaquar në Prokurori me Deputetin Doshi apo ish –Kryeministrin Berisha, që e akuzoi një ditë më parë në parlament.
Kreu i Kuvendit tha se video e Durim Bamit, që Deputeti Doshi e dorëzoi një ditë më parë në Prokurori, nuk mund të merret si provë.
Meta shfrytëzoi rastin për t’iu përgjigjur edhe kërkesës së opozitës për të dhënë dorëheqjen, në mënyrë që t’i hapë rrugë hetimit. Ai i kujtoi Kryetarit të saj, Lulzim Bashës, se si kishte vepruar në rastin kur u akuzua nga dy institucione për korrupsion në lidhje me rrugën Durrës – Kukës dhe se ndaj tij nuk ishte ngritur ndonjë akuzë.
Qëndrimin në detyrën e Kryetarit të Kuvendit Meta nuk e konsideron si pengesë për drejtësinë, pasi u shpreh se ai nuk ka ndikim apo raport të drejpërdrejtë me asnjë nga institucionet e drejtësisë.