Kancelarja gjermane, Angela Merkel e cilësoi sot si paaftësi të komunitetit ndërkombëtar për t’i ardhur në ndihmë Alepos dhe bëri me përgjegjësi regjimin sirian dhe mbështetësit e tij rus dhe iranian.

“Alepo, është një turp (…) është një turp që ne nuk kemi arritur të vendosim korridore humanitare, por ne duhet të vazhdojmë të luftojmë” theksoi Merkel.

Advertisement

“Lufta kundër kërcënimit asimetrik të terrorizmit islamik duhet të ndërmerret e bashkuar (…) por në vend të kësaj Rusia dhe Irani mbështesin regjimin e Assad me veprimet e tij brutale kundër popullit të tij”, theksoi ajo me keqardhje, gjatë kongresit të partisë së saj që do të miratojë kandidaturën e saj për një mandat të katërt në vitin 2017.

Merkel kritikoi gjithashtu shoqërinë civile që nuk mobilizohet përballë vuajtjeve të popullit sirian dhe preferon të dalë në rrugë për të denoncuar një projekt marrëveshje për tregtinë e lirë me SHBA-në, TTIP, kundër të cilës dhjetëra mijëra gjermanë kanë manifestuar këto vitet e fundit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë fjalimit të saj në kongresin e partisë kërkoi që grupet e mëdha ndërkombëtare të mos i shpëtojnë taksimit në sajë të dispozitave avantazhuese për ta.

“Njerëzit presin me arsye që ndërmarrjet e mëdha ndërkombëtare të paguajnë gjithashtu taksa”, konfirmoi ajo para CDU-së mbledhur në kongres në Essen për të nisur fushatën në kuadër të zgjedhjeve legjislative gjermane 2017.