Merita hedh poshtë akuzat: “Janë shpifje. Do t’ia lë të gjitha drejtësisë!”

Kryefjalë e ngjarjeve të kësaj jave ishte incidenti që ndodhi në një nga sallonet e bukurisë në kryeqytet, “Merita”. Në rrjetet sociale e më pas në portale të ndryshme u publikua një video, ku një vajzë e re nxirret nga salloni në fjalë dhe dhunohet nga persona të paidentifikuar në trotuar. Më pas, u publikuan edhe disa mesazhe ku akuzohej drejtuesja e këtij salloni, Merita Merja, për mungesë profesionalizmi, shfrytëzim dhe prostitucion. E kontaktuar nga Blitz.al, zonja në fjalë, Merita ka thënë se cdo gjë ishte e inskenuar. “Çdo gjë që keni parë në atë video është e inskenuar dhe e menduar më parë nga dy vajzat. Këto vajza erdhën në sallonin tim dhe kërkuan trajtim për flokët e tyre. Fillimisht filluan të flisnin me tone të larta, më pas përdorën fjalor banal brenda ambjenteve e në fund, pasi morën shërbimin e kërkuar shfaqën pakënaqësi. Paçka se ne bëmë një punë perfekte, ato u shprehën se nuk do të na paguanin për punën e bërë. Por përkundrazi, ne duhet të paguanim ato. E gjithë kjo është thënë me zë të lartë e me një fjalor jashtë çdo etike.” Ajo shton: “Në atë moment, ne gjendeshim jashtë, te dera e parukerisë dhe i kam kërkuar të futen brenda e ta sqaronim të gjithë bisedën, por fjalori i tyre nuk la vend për një gjë të tillë. Pas kësaj, një djalë, të cilin nuk e njoh e që mund të ketë qenë ndonjë i njohur, i afërm, i dashur apo bashkëshort i vajzave, vjen aty te ne dhe unë i kërkoj t’i largojë nga ambjentet e sallonit tim. Pastaj ka ndodhur edhe momenti që është filmuar, ku ai i ka kapur prej flokësh dhe ngjarja rrodhi ashtu siç u pa në video. Ne njoftuam policinë, të cilët dërguan menjëherë në rajon vajzat dhe ngjarja u mbyll paqësisht.” Pyetur nga Blitz.al për akuzat e prostituimit, apo për djem të armatosur në sallon, Merita përgjigjet: “Ky është kulmi me çfarë po lexoj nga media e portale të ndryshme, të cilat me mungesë profesionalizmi janë gati të dëmtojnë dhe prishin biznesin e ngritur me kaq mund. Përsa i përket akuzave të tjera, një gjë e tillë nuk ka ndodhur e nuk ndodh kurrë në sallonin ‘Merita’, madje unë kam meshkuj në ambjentet e sallonit, por janë thjesht punëtorë.”

Advertisement