Megjithatë alarmi është rritur konsiderueshëm në vëndet e tjera të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërkohë ka ngritur shkallën e gatishmërisë së saj nga niveli 3 në 4, për shkak të përhapjes së sëmundjes së gripit të derrave. Sipas numrit dy të OBSH-së Keiji Fukada epidemia në shkallë globale nuk është e pashmangshme dhe qeveritë duhet të përqëndrohen në zbutjen e pasojave të kësaj sëmundjeje. Dyshime për virusin ka në Australi, Kili, Danimarkë, Kolumbi, Izrael, Francë, Zelandë e Re, Kore e Jugut, Suedi dhe Zvicër. Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Britania dhe disa vënde të tjera i kanë këshilluar shtetasit e tyre që të mos udhëtojnë në Meksikë, vëndi i prekur më rëndë nga kjo sëmundje. Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë njoftuar 45 raste infektimi me këtë sëmundje, pjesa më e madhe e të cilave në New York. Spanja ishte vëndi i parë evropian i cili konfirmoi një rast të infektuar me gripin e derrave, një shtetas i sapo kthyer nga Meksika. Edhe në Britani ka patur dy raste që kanë shfaqur këtë sëmundje.