Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë në prag të arritjes së një marrëveshjeje për të trajtuar krizën e emigrantëve që kalojnë Kanalin.
Një marrëveshje e tillë mund të nënshkruhet ketë të hënë, sipas mediave britanike.
Marrëveshja do të rrisë ndjeshëm numrin e oficerëve që operojnë në zonë bregdetare të Kanalit, ndërsa Franca do të synojë të parandalojë një përqindje “shumë më të lartë” të emigrantëve që të largohen nga brigjet e saj.
Pothuajse 40,000 njerëz kanë kaluar Kanalin me varka të vogla deri më tani në vitin 2022, zbulon një hulumtim nga BBC.
Në vitin 2020, kjo shifër ishte 8,404. Më shumë se gjysma e këtyre njerëzve janë nga Shqipëria (18%), Afganistani (18%) dhe Irani (15%).
Telegraph, një gazetë e përditshme britanike, tha se Franca do të pajtohet për një qendër të përbashkët kontrolli ku do të vendosen zyrtarët britanikë të imigracionit.
Të premten, ministri i jashtëm britanik, James Cleverly dhe homologia e tij franceze, Catherine Colonna publikuan një deklaratë duke theksuar “urgjencën e trajtimit të të gjitha formave të migrimit të paligjshëm”.
Numri rekord i emigrantëve që tentojnë të hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë presion mbi kryeministrin e ri britanik për të gjetur një zgjidhje efektive.
Në javët e fundit, zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar janë vënë nën kritika për mbipopullimin dhe kushtet e këqija në qendrat e emigrantëve.