Mbyllen hetimet për “Gërdecin”, Mediu akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre!

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Prokuroria e Posaçme SPAK mbylli hetimet për çështjen delikate të“Gërdecit”.

Advertisement

Ai është thirrur sot në SPAK për t’i komunikuar dy akuzat, për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në kuadrin ushtarak.

Brenda 10 ditëve dosja do të shkojë në GJKKO që të shqyrtohet, ndërsa Mediu tashmë është i pandehur.

SPAK hetoi përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit të vitit 2008, ndërsa e regjistroi si procedim penal në tetor të vitit 2021.

Procedimi penal u regjistrua për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.

Kjo lëvizje e SPAK erdhi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, GJKKO, në 24 shtator të 2021-shit riktheu për hetim në SPAK dosjen e “Gërdecit”.

Në vendimin e Apelit të GJKKO-së thuhej se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depos.

Kujtojmë se më 15 mars të vitit 2008 rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona që punonin atje, mes tyre edhe fëmijë. Veç viktimave, shpërthimi shkatërroi mijëra banesa e biznese.