“Dua të të bëj të lumtur“ është kthyer sërish në subjekt debatesh. Historia e nënë Sanos, 85 vjecares që kërkonte të lidhej sërish me të bijën me të cilën nuk fliste prej vitesh, u duk prekëse për publikun. E ndarë nga bashkëshorti I parë, me të cilin kishte katër fëmijë, gruaja ishte martuar sërish, e shtyrë edhe nga kushtet e vështira ekonomike. Fëmijët nuk e kishin pranuar dot këtë. Pas shumë vitesh, 85 vjecarja kërkoi përmes ekranit të afrohej sërish me vajzën e saj, Mira, e cila nuk shkoi në studio.
Por episodi duket i ka trazuar shumë të afërmit e gruas në moshë. Mbesa e saj i dërgoi revistës Anabel këtë letër:
“Dje në mbrëmje, duke ndenjur nën shoqërinë e familjarëve të mi, më vjen një telefonatë ku më thuhet se dikush po keqpërdorte emrin e mamasë sime në një televizion. Ngrihem e habitur, nervoze për të gjetur kanalin e për çfarë? Për t’u përballur me të kaluarën e mamasë sime.Në emisionin që “bashkon zemrat e shqiptarëve” ku mesazhi kryesor është “mos qesh, harro hallin tënd dhe qaj me hallin e tjetrit”. Moderatorja e emisionit, zonja Arbana, kishte të ftuar për të rrëfyer historinë e saj një zonjë, e cila biologjikisht është gjyshja ime. Gjyshja ime është plot 84 vjeç, ne e njohim shumë pak, pasi gjyshërit e mi u ndanë kur mamaja ime ishte 11 vjeç. Histori e rrallë për vitet ’60, gjyshja ime ishte 29 vjeç, nënë e katër fëmijëve, në një moment dobësie gabon dhe braktis fëmijët. S’dua të paragjykoj aspak, por vendimi i saj ndikoi në jetën e mamasë sime. Gjyshi u martua sërish, mamaja, tezja dhe dajat e mi u rritën me njerkë dhe kështu kaluan vitet, por plaga ngeli në të njëjtin vend. Plagë që m’u desh ta shikoja vetë tek sytë e mamasë sime, dje në mbrëmje, kur e ëma biologjike kishte dalë në emision për të thënë një përrallë dhe për të trilluar një histori me shpresën se dikujt do t’i vijë keq për të. Ndoshta dhe unë po ta shihja, do të kisha qarë. Nuk dua të jap as versione e as detaje të kësaj historie, sepse nuk është e drejta ime dhe as qëllimi i kësaj letre. Çdo njeri merr nga Zoti atë që meriton para se të largohet. Jam shumë kurioze të di, përpara se të shfaqni një histori a interesoheni për vërtetësinë e saj? A bëni kërkime për personin që i drejtohet një letër apo personin që tregon historinë? A e di ti që rreth 50% e njerëzve mbi moshën 80 vjeç vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit (humbja e kujtesës) dhe nuk mund t’i marrësh për bazë as 80% të fjalëve që flasin? A e di ti çfarë tronditje ke sjellë dje tek familjarët e mi vetëm e vetëm për përtimet e një televizioni dhe për pak audiencë? Kush të jep të drejtë të baltosësh emrin e mamasë sime? Ajo ka ndërtuar një emër dhe një reputacion me shumë djersë dhe mund, ndërsa ju keni cënuar figurën dhe keni prishur imazhin e saj. Kush mban përgjegjësi për këtë? Ti zonja Arbana ke zgjedhur të jesh person publik, ndërsa unë jo. Ku e gjen të drejtën të më cënosh privatësinë duke më shfaqur në emision tënd me zë dhe me figurë, pa më kërkuar leje? Vetëm se ke pushtetin dhe aksesin e një televizioni, mendon se të jep të drejtën të ndërhysh në jetën e dikujt? Ti zonjë apo stafi yt, pa asnjë lloj të drejte legjitime, më keni prishur qetësinë familjare dhe shpirtërore, duke më bërë të përballem me lloj lloj komentesh negative, fyese dhe denigruese deri me mallkime brenda kundrejt mamasë sime. Kush mban përgjegjësi për këtë? Sot, unë dhe të afërmit e mi, u zgjuam të trazuar për t’i dhënë shpjegime të gjithë të njohurve, ndoshta dhe dikujt që nuk duam, se për çfarë ka bërë një gjyshe e jona para 50 vitesh. Faleminderit Arbana, ti na bëre të lumtur”!