Të gjitha akset kombëtare janë të hapura dhe të kalueshme për automjetet, por në disa rrugë rurale rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për arsye sigurie. Shtresa e dëborës do të vazhdojë të jetë prezente në zonat malore deri 30 – 40 cm.
Emergjencat Civile pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme njoftojnë se aktualisht të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme pa probleme për automjetet. Në disa segmente të rrugëve rurale rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të ngricave.
Qarku Shkodër
Akset rrugore kombëtare janë të hapura, por në disa segmente të rrugëve rurale qarkullimi i automjeteve rekomandohet të bëhet me zinxhirë. Segmenti rrugor rural Fushë Arrëz – Qafë Mali – Qafë Shllak ka pasur herë pas here rënie gurësh dhe shembje të skarpateve, por nuk ka probleme për qarkullimin pasi është ndërhyrë nga firmat kontraktore për pastrimin e akseve.
Qarku Kukës
Në qarkun e Kukësit aktualisht nuk ka asnjë aks kombëtar të bllokuar. Për shkak të ngricave në disa segmente të rrugëve rurale rekomandohet përdorimi i zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve. Qarkullimi i automjeteve në aksin Tuneli i Kalimashit – Kukës – Morinë qarkullohet normalisht dhe pa zinxhirë. Në aksin rrugor rural Ura e Zapodit – Shishtavec qarkullimi i automjeteve bëhet me zinxhirë.
Qarku Dibër
Në akset e Bulqizës, Qafë Bualli – Krastë, Ura e Cerenecit – Steblevë, qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë.
Qarku Korçë
Në qarkun e Korçës të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme pa problem ndërsa në rrugët rurale si Korçë – Voskopojë dhe Boboshticë – Dardhë qarkullimi i automjeteve bëhet me zinxhirë për shkak të ngricave.