Pas një seance maratonë, parlamenti miratoi në orët e para të së mërkurës vetëm me votat e mazhorancës ligjin për Arsimin e Lartë. Opozita e cilësoi antikombëtar nismën e qeverisë dhe në shenjë proteste braktisi votimin.
Pikëpyetje dhe dyshime për projektligjin ngriti dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila paralajmëroi votën kundër, përmes deputetëve të saj, përmes amendamenteve të paraqitura për pikën 3 të nenin 44, që kishin të bënin me doktoraturat në Mjekësi.
Në emër të opozitës ish – Kryeministri, Sali Berisha, e cilësoi aventurë për Shqipërinë projektligjin e qeverisë. Edhe pse Ministrja Nikolla u përpoq ta sqaronte personalisht duke u ulur pranë tij në sallën e Kuvendit, Berisha u shpreh i bindur se nisma e qeverisë diskriminon familjet që nuk kanë mundësi ekonomike të shkollojnë fëmijët e tyre.
Në kundërpërgjigje, Kryeministri Rama e cilësoi projektligjin revolucion në arsimin e lartë, bazuar në një sistem të meritës dhe konkurencës.
Për ish – Kryeministrin Berisha projekligji është një goditje e autonomisë universitare.
Por Kryeministri i kujtoi se, pas miratimit të ligjit, merr fund koha e abuzimeve me paratë publike.
Për të treguar se ligji nuk është ai i duhuri, kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, publikoi një regjistrim audio të bashkëshortit të Ministres së Arsimit, Ligor Nikollës, i cili është Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Jashtë paralamentit, një grup studentësh e pedagogësh protestuan kundër ligjit dhe paralajmëruan se do ta bllokojnë zbatimin e tij.