Masakër në Vlorë, 3 të vrarë, 3 në pranga

Rrugica “Zaho Koka” në Vlorë, është përgjakur mesditën e kësaj të marte. Tre persona mbetën të vrarë gjatë përplasjes me armë në lagjen e njohur si “Çole” ndërsa një person i katërt mbeti i plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 në ambientet e jashtme të lokalit “Adore”, kur nga dy makina BMW X5 u qëllua me kallashnikov në drejtim të 27-vjeçarit Alfred Velaj dhe 29-vjeçarit Haki Rakipaj të cilët ndodheshin të ulur në lokal.
Ka qënë Albi Limaj i cili ka dalë i pari nga mjetet dhe ka hyrë në lokal për të biseduar me dy personat që ndodheshin brenda, me të cilët kishte njohje. Biseda ka degjeneruar në fyerje dhe më pas, Albi Limaj, ka dalë nga lokali dhe ka qëlluar më armë në drejtim të Rakipit dhe Velajt, ndërsa ndaj këtyre të fundit kanë qëlluar edhe shokët e Albi Limaj.
Por dy të rinjtë janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me pistoletë kundrejt autorëve, e për pasojë humbën jetën Albi Limaj dhe u plagos Aleksandër Llanaj. Megjithatë, pavarësisht rezistencës, Velaj dhe Rakipaj nuk mundën t’i rezistonin plagëve të marra duke ndërruar jetë.
Pas përplasjes me armë, i plagosur Aleksandër Llanaj është dërguar nga bashkëpunëtorët në krim në spitalin e Vlorës, aty ku policia gjeti dhe dy automjetet e përfshira në vrasjen e trefishtë.
Policia arrestoi 2 autorë të dyshuar, Ani Telaj, Ervis Mehmeti ndërsa një person i tretë i cili ndodhej së bashku me ta në makinë është shpallur në kërkim.
Viktimat në lokal
Haki Rakipaj
Alfred Velaj
Atentatorët në makinë
Albi Limaj (humbi jetën nga përplasja e armatosur)
Aleksandër Llanaj (mbeti i plagosur)
Ervis Mehmeti (I arrestuar nga policia)
Ani Telaj (I arrestuar nga policia)
Një person i pestë ende i paidentifikuar
Burime pranë policisë së Vlorës bëjnë me dije se viktimat ishin persona të përfshirë në rrjetin e prostitucionit në Shqipëri dhe Spanjë. Kjo është pista kryesore ku është përqëndruar puna e policisë për zbardhjen e kësaj ngjarje, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e një hasmërie të vjetër mes palëve.

Advertisement