Maqedoni – Partitë shqiptare do të bojkotojnë referendumin për emrin

Në qarqet partiake dhe politike shqiptare janë shtuar zërat për organizimin e mundshëm të një referendumi i cili do të ishte për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, dhe kjo nismë do të jetë si një kundërpërgjigje për referendumin tashmë të përgatitur nga pushteti aktual për çështjen e emrit. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) por edhe partitë e tjera të opozitës nuk kanë dashur të deklarohen drejtpërdrejt për këtë çështje, duke vlerësuar se janë duke ndjekur skenaret e partisë në pushtet VMRO-DPMNE dhe aleatëve të saj për nxitjen dhe mbajtjen e referendumit. VMRO-DPMNE ka nxjerrë në sipërfaqe organizimin e referendumit dhe se mbështetjen për këtë jozyrtarisht deri tani e ka siguruar edhe nga dy partitë BDI dhe Demokracia e Re. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni në disa raste janë deklaruar kundër mbajtjes së referendumit për emrin, i cili mund t`i jepte kahje të vështirë procesit të negociatave me palën greke. VMRO-DPMNE konfirmon se do të shkohet në referendum, me qëllim që populli të shprehë të drejtën për ndryshimin ose jo të emrit të shtetit. Pranë kësaj partie, ka nisur edhe shqyrtimi i formulimit të pyetjes më të përshtatshme se a duhet të ndryshohet ose jo emri. Nënkryetari i PDSH-së, Iljaz Halimi deklaroi se me referendumin, Qeveria aktuale dëshiron të largojë përgjegjësinë e saj që e ka për zgjidhjen e çështjeve. “Organizimi për referendum nga ane e qeverisë s’është gjë tjetër veç se largim nga përgjegjësia që ajo duhet ta ketë për zgjidhjen e çështjeve. Nuk është korrekte që përmes referendumit të manipulohet me qytetarët e Republikës së Maqedonisë”, theksoi Halimi. Sipas tij, pushteti aktual me të gjitha mekanizmat do të falsifikojë rezultatin e referendumit, sepse siç nënvizoi ai, qytetarët do të vendosin ndryshe për emrin. Ai ka theksuar se shqiptarët duhet të bojkotojnë këtë referendum, për t`u mos u bërë vegël e pushtetit për legjitimimin e maqedonasve si pronarë të këtij shteti. “Shqiptarët asnjëherë nuk duhet të mbështesin projektet marxhinalizuese”, ka theksuar Halimi. PDSH ka paralajmëruar se së shpejti do të dalë me qëndrim më të qartë për hapat e mëtejshëm, në rast se pushteti aktual vendos për mbajtjen e referendumit për emrin.

Advertisement