Maqedoni | Paralajmërohen protesta të reja

Në Shkup sot rreth orës 14:00 pritet të zhvillohen protesta të shqiptarëve dhe maqedonasve.

Shqiptarët do të protestojnë lidhur me vendimin me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve për rastin e ashtuquajtur “Monstra”, ndërsa maqedonasit do të protestojnë me moton “Maqedonia e maqedonasve” dhe në mbrojtje të vendimeve institucionale. Sipas agjencisë maqedonase INA, Ministria e Brendshme ka shtuar masat e sigurisë në kryeqytet, për të shmangur kontaktin e mundshëm të turmave protestuese, ndërsa forca të mëdha policore janë të pranishme në kryeqytet. Protesta që pritet të jetë masive e shqiptarëve me moton “Stop diskriminimit dhe drejtësisë selektive” do të nisë nga pjesa e komunës së Çairit. Protesta e shqiptarëve ka marrë mbështetjen e shumë organizatave shqiptare nga vendi, trevat e tjera dhe diaspora. Ndërsa protesta e maqedonasve do të zhvillohet para qeverisë dhe nuk dihen organizatorët e saj. Protesta e shqiptarëve pritet të mbahen edhe në qytete të tjera të vendit, pasi ka pasur disa thirrje përmes rrjeteve sociale.

Advertisement