Maqedoni – Opozitarët do të protestojnë kundra qeverisë

Krerët e LSDM-së kanë paralajmëruar se protesta e parë do të nis me 11 tetor në Prilep. Në këtë manifestim do të marrin pjesë edhe kreu i LSDM-së, Branko Cervenovski, ndërsa do të jenë të pranishëm edhe krerët e partive të tjera më të vogla opozitare. Nga kjo parti theksojnë se protestat kanë të bëjnë me një revoltë kundër qeverisjes së keqe të VMRO-DPMNE dhe kryeministrit Nikolla Gruevski. Lideri i LSDM-së, Branko Cervenovski deklaroi për Alsat-M se partia që drejton ai dhe koalicioni opozitar do të bëjë përpjekjet maksimale që me të gjitha mjetet demokratike dhe legjitime t’a rrëzoj Gruevskin dhe qeverinë e tij nga pushteti. “Të zgjidhim problemin më të madh të këtij vendi, që quhet Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE. Kjo është përgjegjësia jonë, detyrë jonë. E përsëris, me mjete legjitime demokratike. Në rast se duhet në parlament, do të jetë beteja në parlament, në rast se duhet në debate televizive, debate televizive. Kjo është betejë politike dhe është legjitime, asgjë kundër kushtetutës dhe ligjeve“ deklaroi Cervenovski. Partia VMRO-DPMNE dhe partitë shqiptare nuk kanë komentuar ende paralajmërimet e opozitës për protestat masive.

Advertisement