Maqedoni – Miratohet ligji për administratën publike

Ligji u mbështet nga parti të shumicës dhe opozitës. Maqedonia tani pret një vlerësim nga BE-ja në raportin që duhet të dalë në tetor, por vëzhguesit thonë se jo vetëm miratimi, por edhe zbatimi i ligjeve vlerësohet më shumë nga Brukseli. Ligji për Administratën Publike do të duhet të krijojë mundësi që nëpunësit shtetërorë, të mos jenë të politizuar dhe të mos kenë përkatësi partiake. Ky të paktën do të jetë synimi, pasi Maqedonia vazhdimisht ka marrë kritika se administrata është nën presion nga politika, ose të punësuarit janë ushtarë partiakë. Ligji i miratuar u mbështet nga thuajse gjithë partitë e mëdha dhe parashikon që kompetenca më të mëdha në përzgjedhjen e stafit të ketë Agjencia për Nëpunësit Shtetërorë. Ndërkohë do të synohet që administrata të shndërrohet në efikase duke mos zmadhuar në mënyrë të panevojshme numrin e punësimeve. Me miratimin e ligjit, Maqedonia tani pret që të marrë një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, me çka do të duhet të fillojë edhe faza përfundimtare e negociatave para anëtarësimit të plotë në BE.