Sipas paralajmërimeve, presidenti i deritanishëm, Branko Cërvenkovski i shoqëruar nga garda shtetërore do ta presë Ivanovin para Parlamentit të Maqedonisë dhe më pas do të hyjnë në sallën plenare. Skenari i seancës parasheh që ajo të fillojë në mesditë me luajtjen e himnit të Maqedonisë, ku pastaj Ivanovi do të japë deklaratë para Kuvendit, me të cilën do të detyrohet në pesë vitet e ardhshme me ndërgjegjie dhe përgjegjësi ta udhëheq shtetin maqedonas. Pas dhënies së betimit, presidenti i ri do të mbajë fjalimin e tij të parë në Parlament Në ceremoninë e inaugurimit do të marrë pjesë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, kabineti qeveritar, përfaqësues të institucioneve të tjera, korri diplomatik, përfaqësues të gjyqësisë dhe të bashkësive fetare. Por Lideri i Partisë Shqiptare Demokratike, Menduh Thaçi ka deklaruar se do ta bojkotojë këtë ceremoni, pasi se nuk është ftuar presidenti i shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai gjithashtu ka theksuar se presidenti i sapozgjedhur nuk e gëzon legjitimitetin e shqiptarëve, sepse nuk ka marrë votën e tyre. Ceremonia e inaugurimit do të bojkotohet edhe nga partitë e tjera shqiptare më të vogla të cilat janë shprehur të revoltuara me anashkalimin e presidentit kosovar. Pjesëmarrjen në këtë ceremoni e ka konfirmuar vetëm lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeveritar. Pas seancës solemne do të ketë koktej në sallën e kristaltë, pastaj do të pasojë “kafja e presidentëve”, e presidentit të ri Ivanov dhe Cërvenkovskit. Ceremoninë zyrtare do ta përcjellin edhe disa burrështetas të jashtëm, në mesin e të cilëve presidenti i Kroacisë, Stipe Mesic, i Shqipërisë, Bamir Topi, i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe ai serb, Boris Tadic. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar të dielën se ende nuk ka marrë ftesë zyrtare nga Shkupi për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Maqedonisë Gjorgje Ivanov të martën në Shkup. “Jo unë nuk kam marr ftesë. Është çështje e vlerësimeve se si e vlerësojnë ata se kur do të duhej ta dërgojnë ftesën. Nuk kam çfarë të shtojë më shumë për këtë çështje ”, deklaroi presidenti Sejdiu me të mbërritur në Aeroportin e Prishtinës, pas përfundimit të vizitës së tij në Turqi. Për shkak të emërimit të presidentit të sapozgjedhur të Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, Ministria e Punëve të Brendshme më 12 maj do të ndërmarrë masa të rrepta të sigurisë dhe do të vendos regjim të posaçëm të komunikacionit, në rrugët ku do të kalojnë mysafirët e lartë dhe delegacionet, të cilët do të marrin pjesë në inaugurimin. Siç kumtoi MPB-ja, në atë ditë, komunikacioni në rrugën “11 Tetori” para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, prej orës 11 deri në orën 14 do të kahëzohet në rrugët tjera në afërsi.