Maqedoni – Lëvizja ZGJOHU! kundër projektit “Shkupi 2014”

“Pas 3 viteve me paralajmërime të njëpasnjëshme konstruktive dhe dashamirëse rreth rreziqeve që ndërtimi i kishës ortodokse në shesh do të nxisë”, Lëvizja ZGJOHU! konsideron që “e gjithë përgjegjësia për përkeqësimin dhe radikalizimin e situatës do t’i takojë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Komunës Qendër e cila me kokëfortësi vazhdon të provokojë shqiptarët dhe komunitetet tjera. Projekti “Shkupi 2014” ka për qëllim të nxisë urrejtje dhe ngjason me skenarin dhe temën e filmit 2012 të përkthyer në rrethana vendore”. Ky projekt i marrë që kushton miliona Euro nga buxheti shtetëror, do të nxisë tensione të paparashikueshme ndëretnike dhe ndërfetare, të pakrahasueshme me ato që i përjetuam për Enckilopedinë dhe imponimin e gjuhës maqedonase nga klasa e parë fillore. Ndaj, ZGJOHU! i është drejtuar me një kërkesë konkrete të gjitha Ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare në Maqedoni për përkrahjen e tyre në shmangien nga një situatë e tillë pasi që do të ketë pasoja dhe komplikime të paparashikueshme për këtë vend në kohën më të rëndësishme për të ardhmen e vet. Në rast se Qeveria nuk tërhiqet nga ky projekt, Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” thotë se do të ftojë Bashkësinë Fetare Islame dhe atë Katolike që të ngrenë zërin lartë në shenjë proteste dhe të bojkotojnë konferencën botërore ndërfetare që do të mbahet në Maj si dhe të na bashkëngjiten në protesta masovike në Ohër gjatë kohëzgjatjes së konferencës për të demaskuar djallëzinë e Qeverisë. Lëvizja ZGJOHU! konsideron që ky projekt është pika që ka derdhur kupën e diskriminimit dhe do të fillon konsultime me të gjitha OJQ-të dhe partitë politike shqiptare rreth mundësisë që bashkërisht t’i ftojmë qytetarët në protesta si dhe të shqyrtojmë hapa tjerë për të penguar këtë projekt monoetnik dhe monofetar që nxit urrejtje. “Ky projekt nuk përmban asnjë element tjetër shtetndërtues të këtij vendi multietnik dhe multikonfensional përveçse atij maqedonas dhe përcjell porosinë “Një Maqedoni sa më Maqedonase” që është doktrina e vetme që udhëheq Qeverinë në 4 vitet e fundit. Kjo doktrinë nuk është në përputhje me realitetin, kushtetutën si dhe përcaktimet e deklaruara shtetërore për një shoqëri tolerante, multietnike dhe multikonfensionale që pretendon të anëtarësohet në BE dhe NATO””, përfundon qëndrimi i Lëvizjes.

Advertisement