Maqedoni – Lëvizja “Zgjohu” kërkon tërheqjen e enciklopedisë

Kërkesa është mbështetur edhe nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, si dhe nga disa organizata joqeveritare. Sipas përfaqësuesit të Lëvizjes “Zgjohu”, Adrian Limani enciklopedia rrezikon karakterin multietnik kushtetues të Maqedonisë, nxit urrejtje ndëretnike, falsifikon historinë e popullit shqiptar dhe i përvetëson figurat më të ndritura të kombit shqiptar siç është Nënë Tereza. Akademikët maqedonas thonë në enciklopedi se shqiptarët njihen si “arbanasë”, “arnautë” dhe “shqiptari”, kjo e fundit shoqërohet me shpjegimin përkatës (njerëz mali). Qytetarët shqiptarë në Maqedoni shprehen jashtëzakonisht të fyer me përmbajtjen skandaloze të Enciklopedisë së parë të Maqedonisë, të promovuar të mërkurën e kaluar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, në të cilën akademikët maqedonas paraqesin shqiptarët si të ardhur nga Shqipëria, dhe uzurpues të shtëpive maqedonase. Sipas akademikëve maqedonas, deri në fillimet e shekullit të XIX-të shqiptarët numëronin 20 mijë banorë, ndërsa rritja e numrit të popullsisë shqiptare në Maqedoni argumentohet me natalitetin e lartë dhe migrimet nga Kosova.

Advertisement