“Ne dëshirojmë që negociatat të marrin një drejtim pozitiv”, tha zoti Gruevski, duke theksuar se “kur propozimi të dalë në tryezë, qytetarët tanë do të kenë mundësi të votojnë në referendum”. Nga ana tjetër, ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, i ka bërë thirrje Maqedonisë që ta ndryshojë qëndrimin dhe ta pranojë kompromisin për zgjidhjen e kontestit për emrin. “Shpresoj se liderët në Shkup do t’u afrohen negociatave me një logjikë tjetër, nga ajo që e treguan në të kaluarën, dhe të kërkojnë një emër që do të ishte i pranueshëm për të dyja palët”, tha Dora Bakojanis në Athinë. Këto komente u bënë ndërsa dje në Gjeneve u realizua takimi i ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimic, me negociatorët nga Greqia dhe Maqedonia.