Maqedoni | Berisha-Gruevski rikonfirmojnë bashkëpunimin mes dy vendeve

alt

Gjatë takimit mes tyre, u pohuan marrëdhëniet e mira politike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e përbashkët të qeverive përkatëse, për zgjerimin dhe konsolidimin e tyre të mëtejshëm, në të gjitha fushat. Në takim u theksua rëndësia e realizimit me sukses të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si ato rrugore dhe hekurudhore, të cilat do të bëjnë të mundur lidhjen më të ngushtë mes dy vendeve, në shumë plane, si atë të transportit, shkëmbimeve tregtare, turizmit, etj. Në këtë kuadër u theksua nevoja për krijimin e lehtësirave doganore dhe heqjes se barrierave burokratike për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, duke vendosur regjimin doganor që aplikohet nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. Nga ana e tij, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, duke e vlerësuar këtë takim shumë të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, u shpreh se të dy vendet kanë si përparësi madhore integrimin. Në këtë kontekst, kryeministri maqedonas Gruevski vlerësoi mbështetjen që qeveria shqiptare i jep Maqedonisë në procesin e integrimit të saj në NATO, duke shprehur dëshirën që Shqipëria të realizojë me sukses projektin e integrimit të plotë të vendit në BE. Duke folur për zhvillimet në rajon, bashkëbiseduesit vlerësuan se integrimi i Ballkanit Perëndimor është në dobi të popujve dhe i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Berisha garantoi për bashkëpunimin me palën shqiptare, si mënyrë për të krijuar një realitet të ri në këto marrëdhënie. Duke theksuar krizën nga e cila është përfshirë e gjithë bota, Berisha tha se, duhet të bëhet gjithçka që energjia e tregut të gjejë hapësirat më të mëdha, si rruga e vetme e mbrojtjes ndaj pasojave të pashmangshme të kësaj krize mbi ekonomitë e vendeve tona. “Së shpejti do të fillojë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim. Do shqyrtojmë infrastrukturën doganore për ta bërë atë më të lehtën. Ne do të bëjmë gjithçka që potencialet turistike të vendeve tona të vihen në dispozicion të turistëve të vendeve tona dhe turistëve nga mbarë bota. Ohri është pa diskutim kurorë e bukurive natyrore të liqeve të Europës e më gjerë. Potenciali i tij i jashtëzakonshëm turistik duhet të zhvillohet. Do të bëjmë gjithçka që bashkërisht ta mbajmë e zhvillojmë këtë potencial”, u shpreh Berisha. Ai tha se, 2 vendet kanë një të ardhme dhe kjo e ardhme është integrimi i plotë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ndër të tjera Berisha tha se Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha dhe e ka procesin e integrimit në Bashkimin Europian si proces themelor. Edhe në këtë takim në Maqedoni ai theksoi se, “Ka një realitet fatkeq, në të cilin opozita shqiptare nuk voton ligjet me tre të pestat në parlament. Ajo nuk e bën këtë se është antieuropiane. Jo. Ajo në programin e vet ka integrimin në Bashkimin Europian, por e bën këtë se mendon se në këtë mënyrë i afrohet më lehtë pushteti. Këshilltar i saj nuk mund të bëhem. E vërteta është se i largohet më shumë pushteti. Megjithatë tratativat janë dhe mbetemi gjithmonë optimistë, por zgjidhja duhet të jetë një zgjidhje e vetëdijshme për një proces jetik për vendin”. I pyetur nëse maqedonasit në Shqipëri do të kenë mundësi për arsimim në gjuhën maqedonase, ashtu siç kanë shqiptarët në Maqedoni, ai siguroi se maqedonasit dhe çdo qytetar i Shqipërisë ka pasur, ka dhe do të ketë të drejtë të pamohueshme për t’u shkolluar në gjuhën që do. Lidhur me këtë çështje ai tha se vendi ka standardet më të mira, sipas dokumenteve ndërkombëtare të arsimimit të pakicave. Berisha tha se shqiptarët janë tërësisht të bashkuar për sa i përket çështjes së integrimit. Lidhur me idetë e hedhura së fundmi për ndarjen e Kosovës kreu i Qeverisë shqiptare tha se, këto propozime e sugjerime janë që të gjitha të nxjerra apo nxirren nga arkiva e Sllobodan Millosheviçit. Sipas tij, respektimi i kufijve aktualë të Kosovës është interesi jetik më i mirë, i të gjitha vendeve të rajonit, që nuk duan të përdorin gjyzlykët e kasapit të Ballkanit për rajonin e të ardhmen e tij.

Advertisement