Viktima e masakrimit me thikë, është Aleksandër Deda, 41 vjeçar, lindur e banues në qytetin e Mamurrasit në rrethin Kurbin. Ai gjendet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku dje në mbrëmje doli nga gjendja e komës. Autore e dyshuar e krimit është Rajmonda Deda, 36 vjeçe, nga i njëjti vendbanim, bashkëshorte e të ndjerit. Ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit Deda. Aleksandri, mësohet se ishte kthyer vetëm para pak ditësh nga emigrimi në Itali. Mes çiftit, kishin lindur dhe dyshime për tradhti. Kjo gjë po e brente shumë Rajmondën e cila pasditen e djeshme ka vendosur të mos e ketë më para syve të shoqin, duke u përpjekur t’i marrë jetën. Për këtë, ka marrë një thikë dhe e ka qëlluar 41-vjeçarin Aleksandër Deda duke i shkaktuar plagë të rënda në trup. Por duke dashur të fshehë krimin, ka deklaruar për policinë se i shoqi ishte vetëplagosur. Të njëjtën gjë ka bërë dhe me fqinjët, madje duke kërkuar ndihmë se i shoqi ishte plagosur aksidentalisht. Gënjeshtra nuk ka zgjatur shumë sepse mbrëmjen e djeshme, 41-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ka dalë nga gjendja koma dhe ka arritur të tregojë se nuk ishte vetëplagosur por e shoqja e kishte qëlluar me thikë, pas grindjeve për xhelozi. Policia konfirmoi se ka arrestuar të dyshuarën Rajmonda Deda, nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e rëndë.