Mamurras – Arrestohet i kërkuari për vrasje Eduart Çuni

Çuni është arrestuar në banesën e të motrës, në Mamurras. Sipas burimeve, oficerëve të kërkimit u janë dashur 2 javë për të verifikuar informacionin e ardhur për vendndodhjen e Çunit, si edhe për të ndërhyrë për kapjen e tij. I arrestuari i djeshëm i policisë së Tiranës ishte larguar më 19 prill 2004 nga burgu 325 në Tiranë me një leje dhe nuk ishte kthyer më. Ndaj tij, Gjykata e Apelit Tiranë me vendim të datës 25 Tetor të vitit 2005, kishte dhënë dënimin me 15 vjet burgim, sepse akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe të “Vjedhjes me armë”. Ngjarja datonte më 20 prill 2000, ndërsa i dyshuari kryesor për këtë ngjarje, Besnik Lamçe, ishte në kërkim. Gjykata dënoi me 25 vjet burg në mungesë Lamçen dhe provoi se ishte bashkëpunëtor edhe Çuni. Në fakt, Çuni ishte vetëdorëzuar në burgun 325, nga ku ishte arratisur falë lejes. Policia e Tiranës nuk ka dhënë detaje se si është gjendur sërish jashtë qelive Çuni, i cili me arrestimin e djeshëm hyn për të tretën herë në burg.

Advertisement