Maminas | Meta: do jemi më pranë aktiviteteve prodhuese

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta duke vizituar një fabrikë për prodhimin e tullave në fshatin Maminas, premtoi mbështetje akoma edhe më të madhe për biznesin dhe deklaroi propozime fiskale pro-biznes, pa rritje taksash. “Është një objektiv i yni që të jemi më pranë këtyre aktiviteteve prodhuese, këtyre aktiviteteve që gjenerojnë eksport, duke u krijuar më shumë lehtësi”, tha mes të tjerave Meta, duke premtuar se LSI do të zgjidhë një herë e mirë çështjen e rimbursimit të TVSH-së, që sipas tij, po i vështirëson aktivitetin normal bizneseve në Shqipëri. Lideri i LSI-së premtoi rimbursim automatik për zgjidhjen e problemit të TVSH-së, pasi sipas tij, “kjo problematikë vështirëson ecurinë normale dhe rritjen e atyre aktiviteteve dhe rritjen e eksporteve”. Meta u shpreh se, biznesi meriton më shumë mbështetje nga qeveria. “LSI do të angazhohet për të mundësuar zhvillimin e biznesit në vend për të rritur eksportet e mallrave shqiptare”, tha Meta, duke theksuar si prioritet të LSI-së, hapjen e vendeve të reja të punës. Sipas tij, Plani i Punësimit i LSI-së është platformë realiste ku shumë nga problemet e biznesit gjejnë zgjidhje përmes mekanizmave dhe stimujve financiarë konkretë për të gjithë sektorët e ekonomisë, ku potencialet e punësimit janë më të mëdha.

Advertisement