Qeveria shqiptare do të mbështetë çdo nismë që favorizon ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, për nxitjen e shkëmbimeve për studentët, kërkuesve të rinj dhe stafeve tona akademike. Kështu deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla gjatë aktivitetit “Horizon 2020”, për Ballkanin perëndimor, zhvilluar në qytetin e Budvas të Malit të Zi, me mbështetjen e “Fondit të Bashkimit Evropian për Kërkim dhe Inovacion”. Në fjalën e saj, Ministrja Nikolla tha se programi i ri qeverisës ka përcaktuar si prioritet krijimin e mundësive të reja për angazhimin e kërkuesve shkencorë shqiptarë, në kuadrin e rritjes së bashkëpunimit efektiv të institucioneve arsimore e shkencore me organizatat ndërkombëtare që financojnë programe të tilla. ”Horizon 2020” është programi evropian, një kuadër i ri për Kërkimin dhe Inovacionin, i cili ka nisur në vitin 2014 dhe do të mbyllet në vitin 2020. Qëllimet e “Horizon 2020” janë që t’i përgjigjet krizës ekonomike, duke investuar në punë dhe zhvillim, t’i adresohet problemeve shoqërore për jetesën, sigurinë dhe mjedisin dhe si përfundim të forcojë pozitën globale të BE-së në kërkim, inovacion e teknologji.