Gjukanovic kishte kërkuar zgjedhje të parakohshme, duke thënë se dëshironte ndërmarrjen e reformave të forta ekonomike dhe sociale, që janë të nevojshme për afrimin e vendit me Bashkimin Europian. Por, opozita konsideron se qeveria është ngutur me zgjedhje të parakohshme për shkak të frikës se kriza globale financiare ka mundur të dëmtojë popullaritetin e Gjukanoviçit në periudhë afatgjatë. Ndërkohë, vëzhguesit ndërkombëtarë janë shprehur se zgjedhjet legjislative të së dielës në Malin e Zi i kanë përmbushur pothuajse të gjitha standartet ndërkombëtare. Por kanë shprehur edhe nevojën e zhvillimit të potencialeve demokratike të vendit. Sipas vëzhguesve, zgjedhjet u organizuan në mënyrë profesionale dhe procesi i votimit dhe i numërimit të votave ishte shumë pozitiv dhe u njoftuan shumë pak incidente.