Kandidati i së majtës për Bashkinë e Dibrës, Muharem Rama zhvilloi takimet elektorale në fshatrat Kishavec, Limjan e Kander të njësisë administrative Kastriot. Rama premtoi korrektësi në ndarjen e ndihmës ekonomike nga bashkia duke shmangur problematikat e diferencimet mes qytetarëve. “Ndihma ekonomike do të shkojë aty ku të ketë nevojë. Këtë e them me bindje të plotë se me të marrë bashkinë, ndihma do ti shkojë vetëm atij që i takon”, u shpreh Rama. Rama u ndal edhe në një takim me veteran të qytetit ku premtoi rikonstruksionin e varrezave të dëshmorëve dhe rrugës që lidh ato me qytetin. “Me fitoren e Bashkisë do të mund të bëjmë realitet projektin për sistemimin e hapësirës së varrezave të dëshmorëve. Siç e keni parë, rruga e Pollozhanit është bërë me asfalt dhe kjo është një lehtësi më shumë për ju që të shkoni e të vizitoni varrezat”, theksoi kandidati Rama. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e fshatit Limjan, kandidati i majtë Rama u angazhua për investime në rrjetin rrugor që konsiderohet ndër problemet më të mëdha për këta banorë ndërsa më pas prezantoi para banorëve në fshatin Kander programin elektoral.