Lushnje – Topalli takohet me gra e vajza në vijim të turit “Gratë për fitoren”

Topalli vlerësoi nënat, gratë dhe vajzat e Lushnjes, sikurse të gjitha gratë në Shqipëri si mbështetëse të reformave, aleate të projektit Shqipëria po ndryshon. “Në mandatin e ardhshëm bashkë ne do të vazhdojmë të përgjysmojmë varfërinë edhe në zonat malore ashtu siç e kemi bërë në zonat rurale. Në mandatin e ardhshëm bashkë ne do të vazhdojmë të rrisim investimet. Së bashku me ju ne mund të krijojmë një Shqipëri, në të cilën çdo grua të trajtohet me respekt dhe dinjitet, çdo burrë e grua të duhet e të trajtohet në mënyrë të barabartë, edhe çdo familje të ketë shpresën e një familje të fortë e stabël” – u shpreh kryetarja e Kuvendit, në fjalën drejtuar zonjave, nënave dhe vajzave të Lushnjes. “Unë, – vijoi Kryetarja e Kuvendit, – flas për gratë që luftojnë për të mundur sëmundjet. Duke folur edhe në Lushnje, unë flas për gratë që luftojnë kundra kancerit, flas për gratë që rrisin fëmijët, flas për gratë që vuajnë nga dhuna në familje, flas për ato që janë vetëm”. Kurse theksoi: “Ne do t’ju ndihmojmë siç e bëmë me mësueset, punonjëset e administratës apo me biznesmenet, duke ia ulur taksat”. “Në mandatin e ardhshëm edhe më shumë se dy herë do të rritet numri i studentëve në universitete. E mbi të gjitha tani është koha për të vepruar për gratë kudo ku janë, në fshat, në qytete, në veri, në jug, këtu e kudo. Por mbi çdo gjë, duhet të vazhdojmë bashkë për një arsye të thjeshtë, por të madhe, për një qëllim, të vetëm, unik, për ne gratë, për fëmijët. Ne do të vazhdojmë të lëvizim para, sepse ne gratë më mirë se të gjithë të tjerët e dijmë se “Ai që nuk lëviz para, shkon mbrapa”, shtoi me tej Topalli.

Advertisement