Kandidati për postin e Kryetarit të Partisë Demokratike kërkoi nga baza e demokratëve të qëndrojnë larg spekullimeve që vektorë të së majtës po kërkojnë të prodhojnë në tentativë për të ndikuar në procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike. Olldashi deklaroi në Lushnje se ka një përpjekje të qartë të segmentëve të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces. “Ka një përpjekje të tmerrshme nga vektorë të majtë, brenda shtypit shqiptar. Po ti shikoni takëmet e analistëve, të cilët nuk gjëjnë kurrë asgjë, janë të njëjtët që e luftuan me të gjithë breshërinë e tyre Partinë Demokratike, para zgjedhjeve. Janë të njëjtët që tani po përpiqen të bëjnë diversion. Janë të njëjtët që na vodhën votat me paratë e pista që vodhën gjatë pushtetit tonë, të cilët po përpiqen të ndërhyjnë në këtë proces. Në Lushnjë, Berat dhe gjetkë ka një përpjekje të qartë edhe nga segmente të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces. Mbajini larg ! Kjo parti është parti e demokratëve. Kjo parti është e grave dhe burrave të lirë që vendosin vetë me mendje të ftohtë se cila duhet të jetë e ardhmja e kësaj strukture, ku bëjnë pjesë të gjithë.” Gjatë takimeve në Lushnje, Berat, Kucovë dhe Polican, Olldashi theksoi se zgjedhjet për pasuesin e liderit historik të demokratëve, janë një proces vlerash, një garë dinjitoze që i jep peshë vendim-marrjes së anëtarësisë. Sokol Olldashi u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në këtë proces dhe të gjithë bashkë të nisin veprimin më të fortë opozitar për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike. “Kjo parti nuk është krijuar për të ndenjur në opozitë. Demokratët nuk kanë asnjë minutë dhe asnjë ditë kohë për të humbur. Partia Demokratike ka një mision ende të pambyllur: misioni që ka nisur në vitin ’90, kur është krijuar, misionin që e ka rimarrë në 2005-ën dhe e ka cuar deri në 2013 dhe misionin që duhet të rimarrë me shpejtësi për të bërë Shqipërinë europiane, atë Shqipëri që kërkohej që ditën e parë të themelimit të saj.” “Kundërshtari politik- tha Olldashi është thyer. Ende pa marrë pushtetin, koalicioni që ringjalli PPSH-në po rrezon programin e vet. Shqiptarët nuk do të pranojnë qe themelet e shtetit të shkatërrohen nga blerja e votës dhe pazaret politike – deklaroi Olldashi gjatë bashkëbisedimit me anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në Lushnjë.”