Kërkoj sërish besimin tuaj që maxhoranca e djathtë të qeverisë vendin për 4 vitet e ardhshme, pasi kemi mbajtur premtimet e dhëna. Kështu ka deklaruar kryeministri Berisha gjatë mitingut të zhvilluar në Lushnje. Berisha ka premtuar sërish jo vetëm rritje pagash e pensionesh, por edhe anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian. “Sot, ne kërkojmë sërish besimin tuaj, por e kërkojmë atë pasi shpresat e përbashkëta të katër viteve më parë i kemi shndërruar në realitete të mëdha të përditshme të jetës sonë. Unë ju jap fjalën ju se nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar në çdo qytet në këtë vend. Zotimi ynë është që në katër vitet që vijnë të ketë ujë të pijshëm 24 orë në çdo familje shqiptare”- u shpreh kryeministri Berisha. Më tej Berisha u shpreh se “Sot, ne jemi afër një pragu të ri të madh, në të cilin ne do të realizojmë ëndrrat tona më të mëdha. Ne do të përgatisim Lushnjën dhe Shqipërinë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Unë dua t’ju garantoj ju se kurrë nuk marr përsipër gjëra që nuk i realizoj dot dhe se kurrë nuk kam kërkuar nga njeri atë që nuk na takon. Por, ne jemi popull i mundit dhe i djersës, jemi njerëz të mendjes, jemi njerëz të punës, ne e meritojmë Evropën, Evropa është e ardhmja jonë”- theksoi kryeministri Berisha. “Lushnja juaj dhe Shqipëria jonë renditet ndër vendet më të sigurta në Evropë. Shqipëria ka pritur vjet 2.7 milionë turistë me dinjitetin më të madh dhe me sigurinë më të madhe. Besimi juaj ishte i një rëndësie të madhe për ne. Ai bëri që Shqipëria të anëtarësohej në NATO, bëri që Shqipëria të aplikojë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”- theksoi Berisha.