Lufta kundër trafikut të drogës, Rama: Histori suksesi, sulmet e opozitës prekje e interesave

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se lufta e forcave të Policisë së Shtetit kundër trafikut të drogës përbën një nga historitë më të shënuara të suksesit të këtij shteti.

Nga ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku Policia e Shtetit prezantoi rezultatet e luftës ndaj drogës, Rama tha se Policia e Shtetit është kthyer nga një çetë e tradhtuar në një forcë garante për rendin dhe në një forcë në krah të qytetarit që meriton respektin e gjithësecili.

Advertisement

“Ç’ka ju keni bërë gjatë këtij viti, përbën padyshim një nga historitë më të shënuara të suksesit të këtij shteti dhe Policisë së Shtetit. Krenar që rezultate shifrash dhe fakte të pakontestueshme hodhën poshtë gjithë baltën që muaj e muaj ka rënë mbi Policinë e Shtetit, drejtuesit e saj dhe ministrin e Brendshëm”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se shifrat dhe hartat që ne kemi sot nga Guardia di Financa ishin edhe dje, por zyrtarët flinin mbi kanabis. “Ish ministrat e Brendshëm predikojnë sot sikur të ishin ëngjej të antidrogës, të rënë nga qielli i virtyteve, sepse kanë fjetur gjumë mbi të gjitha këto harta dhe kanë qënë të lidhur kokë e këmbë”, theksoi Kryeministri.

Shefi i ekzekutivit i konsideroi jo vetëm sulme politike akuzat e opozitës për lidhje të politikës me trafikun e drogës, por edhe prekje të interesave.

“Ka një përputhje tragjike midis sasisë së rezultateve dhe sasisë së baltës. Kjo nuk është vetëm politike, sepse në shifrat e ekspozuara nga ky operacion flitet për rrënjë, hektarë, sasira droge, por ato përkthehen në euro. Janë miliarda që deri dje shkonin diku, sot nuk shkojnë më. Ky është një operacion që ka prekur interesa”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal edhe në çështjen e përfolur të një prej ish-zyrtarëve të policisë. “Një kriminel, një nga ata të cilët policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajon t’i identifikojë në radhët e vetë dhe ti pakësojë në radhët e vet, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje, dhe i Kreut të Shtetit së fundmi. Heroi që na kërkoka përgjigje, ndërkohë që ai është në kërkim, nuk paraqitet në Prokurori dhe të përgjigjet njëherë për akuzat e ngritura mbi të. Por paraqitet për azil politik në një shtet tjetër, pasi ka thyer vendimin e gjykatës, të detyrimit të paraqitjes. Kaq mjafton për të kuptuar sa poshtë ka rënë ky pazar, sa e ulët është bërë kjo lojë”, nënvizoi ai.

Duke folur për baltosjen mbi punën e policisë së shtetit në trafikun kundër drogës, dhe procesin e dekriminalizimit, Rama u shpreh se “gjithçka sot u shfaq këtu dhe fatmirësisht për këtë moment e fatkeqësisht për ne si popull, mori vulën e dy partnerëve, dy ambasadorëve që u përfshin drejtpërdrejtë në emër të shteteve të tyre në këtë përpjekje, nuk besoj se do të thonë se ishin gënjeshtra dhe nuk besoj të fusin ambasadorin amerikan tek ligji për dekriminalizmin”.

Në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vuri në dukje se gjatë dy viteve të qeverisë së majtë është kultivuar tetë herë më pak se të gjitha vitet e shkuara.

Sipas statistikave të Guardia Di Finanzzas, deklaroi Tahiri, sot kultivohet 8 herë më pak se dy vite më parë.  “Në vitin 2013 kur ishte qeveria e kaluar në pushtet, Guardia di Finanzza raportonte se ishin identifikuar  323 hektar bimë narkotike të kultivuara, të idenitifkuar me fotografim ajror. Nga këto u shkatëruan vetëm 7.5%.Në këto dy vite, Policia shkatërroi 92,2% të sipërfaqes së identifikuar. Një punë kolosale”, tha Tahiri.

I pranishëm në këtë konferencë, Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve ndërsa sqaroi se “ne kemi mundësuar fotografimin nga ajri përmes mjeteve të teknologjisë së lartë dhe Policia Shqiptare ka kryer hetimet dhe ka marrë masat lidhur me parcelat e drogës së identifkuara. Jemi të kënaqur nga rezultatet”. Sipas tij, lufta ndaj drogës nuk prek vetëm Shqipërinë, por edhe vëndet e tjera.

Ndërsa diplomati amerikan, Donald Lu shprehu mbështetjen e SHBA-ve për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai bëri të ditur mbërritjen e një prokurori federal të SHBA-së që të punojë me njësinë antikorrupsion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. “Një agjent i FBI-së do të vijë javën e ardhshme për të punuar me Policinë e shtetit shqiptar dhe ekspertët tanë po mbështesin hartimin e ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe reformimin e gjyqësorit”, deklaroi Ambasadori Amerikan.

Duke u ndalur te akuzat e ndërsjellta mes aktorëve politikë, Ambasadori Lu tha se “si maxhoranca edhe opozita e kanë kritikuar njëra tjetrën për lidhje me krimin, më lejoni të them se të dyja palët e bashkëndajnë këtë problem. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të ngrihet mbi sherret e partive politike. Shqipëria ka nevojë që të gjithë udhëheqësit e saj të punojnë së bashku për të luftuar kriminelët , trafikuesit e narkotikëve dhe zyrtarët e korruptuar”.