Luan Rama: LSI konsolidoi pozicionin e saj

Sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama, në emër të kësaj partie u ka shprehur mirënjohjen autoriteteve që mundësuan mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Këto ishin zgjedhjet, që edhe sipas vlerësimit të ndërkombëtarëve, shënuan një tjetër standard. Falenderoj të gjithë votuesit për nivelin e lartë të qytetarisë dhe përgjegjshmërisë që treguan. Edhe qytetarët shqiptarë treguan një standard të ri me qytetarinë dhe përgjegjshmërinë e tyre”, ka deklaruar Rama.

Advertisement

Në veçanti ai ka falenderuar dhe simpatizantët e LSI, që me korrektesë, luajalitet e përgjegjësi votuan 100% për kandidatët e ASHE dhe “nuk u bënë pjesë e pazareve”.

“LSI u qëndron me besnikëri dhe u shërben me besnikëri kontratave të bëra me partnerët. Këto zgjedhje, nga të dhënat e para për subjektet politike, dëshmojnë rritjen e konsoliduar të votave në mbështetje të LSI”, ka vijuar Rama, për të theksuar se rritja e pranisë së kësaj partie në pushtetin vendor ka qenë spekakolare.

“Apeloj komisionerët, vëzhguesit e numëruesit që të vijojnë me korrektesë e seriozitet numërimin e çdo vote”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, pas çertifikimit të rezultateve LSI do të bëjë një analizë të mirëfilltë të brendshme, ndërsa ka quajtur një “pazar” votimin në Bashkinë e Pogradecit.

Ndërsa sa i takon asaj të Vorës, ai ka bërë me dije se LSI do të ndjekë çdo hap për të bërë të mundur transparencën e numërimit të votave.