Lori Hoxha, përmes një postimi në Instagram, përshkroi shkurtimisht jetën e saj dhe të familjes tani dhe si mund të ishte ajo sot nëse Dritan Hoxha, i cili do të festonte sot 53-vjetorin, nuk do të ishte ndarë nga jeta. “Koha me ty dhe koha pa ty u barazua këtë vit,” shkruana jo.
“Teksa shkruaj kam përballë pamjen më të bukur në botë; një nga ato që kërkoje me ngulm ti gjithë vitin sepse po të ndjeje pak ftohtë futeshe direkt në makinën tënde dhe fërkoje duart. Kam përballë Itanin që është rimishërimi yt; po aq i gjatë, i bukur, kokëfortë dhe me atë humorin e bezdisshëm që të vinte në siklet përpara tavolinës, po ti prapë qeshje se ishte me vend. Nga ana tjetër është Sara që po ndjek [R]Oman dhe London; njeri do të luajë ping pong dhe tjetri më thotë që qenkërkam bërë pak kaçurrelse sot. Dy njerëz komplet të ndryshëm, që i imagjinoj në shpinën tënde teksa i tregon botën tënde dhe i thua ‘jo atë’, se e ndaje shumë mirë të drejtën dhe refuzoje të bëheshe palë me çdo gjë që nuk ishte e tillë. Të ngjajnë shumë mendoj unë, ose jam unë që kërkoj me ngulm të të shoh në çdo brez që do të vijë.”
Lori flet për të ëmën dhe motrën tjetër, kjo e fundit goxha e distancuar nga jeta publike.
“Mami po pi kafenë që e shoqëron me një cigare. Ta dish që e ka filluar që kur nuk vije më në shtëpi. E di e di, i kam thënë, po e do ta dëgjojë nga ti. Diku do dilte nga dëshirat e tua megjithëse ato më të mëdhat i ka ruajtur të gjitha. Redia më shkruan në telefon; është po aq moskokëçarëse sa kur vije në Itali dhe thoje ‘goca e mamit kjo’ se nuk dilte te dera si unë dhe Sara. Redia vazhdon do me atë dashurinë që mban nga brenda dhe boshllëkun tënd e ndjen sot më shumë se kurrë. Gjithsesi ta dish, atë do gjeje zgjuar në oraret që rrije ti dhe me siguri do vinte e para kur doje ndonjë xhiro me makinë natën vonë.”
Më pas ndalet te vetja.
“Unë jam këtu; me dyshimet e mia si gjithmonë dhe për çdo gjë. Kurioze a do ishe i lumtur për ne dhe kush do ishim ne sot me ty. Gjithë jetën pas ikjes tënde kam dëgjuar fjalinë ‘po të mos ishe vajza e tij…’ dhe jam kurioze vërtet, dhe pse e di që mua vajzën tënde më bën ajo çka kam përbrenda. Më bëjnë flokët kaçurrela, karakteri impulsiv, dashuria për jetën e bukur, pretendimet e larta për njerëzit, parimet e forta dhe dëshira për t’u vetëpërmirësuar çdo ditë. Por më kurioze jam si do kishim ecur bashkë sot. Nuk u zgjata aq sa doje, por besoj do kishim ecur me kokën lartë të dy.”
Ajo e quan të atin e ndjerë “influenceri i preferuar”.
“Viti i 14 që festojmë ditëlindjen tënde pa ty dhe pa merakun tënd që po ‘plakesh’. Do hap një verë të kuqe sot dhe pse ta dish që unë e pi të bardhë. Diku do ndryshoja unë nga ti dhe pse të ndjek çdo hap e të kopjoj sikur je influenceri im i preferuar. Më mungon çdo ditë e të kujtoj çdo ditë, po ti këtë e di se s’je shumë larg. Gëzuar ditëlindjen cutie!
E jotja sot dhe përgjithmonë,
Lori Tanit.”
Në mbishkrimin e postimit, Lori shprehet, “do jetoj gjithë jetën me mallin tënd dhe mirënjohjen (por edhe keqardhjen) që askush në vitet në vazhdim nuk pati ndikimin tënd tek unë dhe jo vetëm.”