Londër | Rama: Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe ka nevojë të jetë pjesë e saj

Kryeministri Edi Rama iu drejtua një auditori studentësh të Universitetit të Oksfordit, lidhur me zhvillimet në Ballkan dhe perspektivën e këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama, duke analizuar të shkuarën e rajonit, shpalosi vizionin e qasjen e qeverisë shqiptare për një të ardhme evropiane të të gjithë Ballkanit, jo thjesht si pjesë gjeografike, por edhe si bartës i vlerave të saj. “Evropa nuk është një destinacion jashtë nesh. Evropa duhet të jetë dhe Evropa është një destinacion brenda nesh. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme përse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe duhet të bëhet pjesë e saj, janë vlerat mbi të cilat u themelua Evropa dhe ajo që ato vlera përfaqësojnë sot”, u shpreh Kryeministri. Ndërsa e paraqiti integrimin evropian si një shtyllë kryesore dhe prioritet madhor të politikës së jashtme të Shqipërisë, Kryeministri nënvizoi se qeveria shqiptare e merr këtë proces në radhë të parë, si një sfidë të brendshme, për të ndërtuar në vend, pikërisht këto vlera që Evropa përfaqëson. “Ne jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha hapat e kërkuar në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat. Ne do të punojmë fort, duke mbajtur gjithmonë në mendje se integrimi në BE nuk është vetëm një destinacion, por është një set vlerash dhe standardesh që ne si fillim duhet t’i ndërtojmë në vend’, u shpreh Kryeministri. Një pjesë të fjalës, Kryeministri Rama ia kushtoi përpjekjes së Shqipërisë për arritjen e standardeve evropiane dhe vendosmërinë për të përmbushur çdo hap të nevojshëm për t’ju bashkuar BE-së. Kjo lidhet, theksoi ai, “me vullnetin tonë për të kontribuar në suksesin e një projekti ndërkombëtar brilant, të një Bashkimi Evropian që kontribuon ndërkaq për begatinë e miliona njerëzve, që krijon shoqëri akoma më të hapura dhe që kontribuon për një botë më të barabartë”. Kryeministri Rama, teksa vlerësoi atë çka Britania e Madhe përfaqëson në korpusin e vlerave evropiane, theksoi se qeveria shqiptare e konsideron mbështetjen e saj në rrugëtimin evropian të Shqipërisë të një rëndësie të madhe. “Shpresoj që, ndërkohë që Shqipëria vazhdon këtë udhëtim të brendshëm, progresi dhe ndryshimi në mënyrë që të arrijë integrimin në BE, Britania e Madhe të jetë me ne, duke na shtyrë në drejtimin e duhur”, nënvizoi Kryeministri. Me bindjen se integrimi evropian është e ardhmja e Ballkanit, Kryeministri theksoi se një bashkëpunim i suksesshëm mes vendeve të tij përbën edhe një faktor kyç për një integrim të suksesshëm evropian. “Unë jam shumë i vetëdijshëm se nuk mund të jemi të vetëm në këtë udhëtim. Unë e di se bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç në procesin e integrimit dhe për të siguruar një integrim të suksesshëm dhe për të kontribuar për të ardhmen e BE-së, ne jemi të vendosur të punojmë sa më fort që të jetë e mundur me të gjithë fqinjët”, u shpreh Kryeministri. Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama përcolli mesazhin e fortë të besimit se Shqipëria, me brezat e saj të rinj, nuk do të jetë vetëm përfituese, por edhe kontribuuese në Bashkimin Evropian. “Ne jemi të sigurt që Shqipëria do të përfitojë nga BE-ja. Dhe mund t’ju premtoj se BE-ja do të përfitojë nga brezi i ri i shqiptarëve”, tha Rama.

Advertisement