Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Martin Zefin, personin që 3 ditë më parë qëlloi me thikë, duke i shkaktuar vdekjen elektriçistit Zamir Velaj, në fshatin Oblikë.
Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, i akuzuari Zefi pranoi para gjykatës autorësinë e krimit dhe pendesën për këtë ngjarje. Ai deklaroi se vrasjen e kishte kryer nën efektin e alkoolit dhe stresit, dhe se të ndjerin e kishte parë teksa kthehej nga puna. Ai kishte nisur të debatonte dhe t’i kërkonte që t’i lidhte dritat e shtëpisë, që ia kishin ndërprerë javë më parë për shkak të mospagesës.
Ndaj Martin Zefit, Prokuroria ka ngritur akuzën e “vrasjes për shkak të detyrës”, akuzë që parashikon si dënim deri në burgim të përjetshëm, nëse nuk aplikohet gjykimi i shkurtuar. Duke qenë se ngjarja është plotësisht e zbardhur dhe i akuzuari ka pranuar autorësinë e krimit, pritet që dosja t’i dërgohet së shpejti gjykatës, për gjykim.