Ligji i vetingut nesër në Komisionin e Reformës

Komisioni për reformën në drejtësi pritet të mblidhet ditën e hënë për diskutimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të njohur ndryshe si vetingun, që është edhe ligji i parë që kalon në parlament pasi lidhet drejtpërdrejtë me ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Sipas opozitës ligji i vetingut është parë nga ekspertët dhe është gati tashmë të diskutohet në komisionin e posaçëm. Të njëjtat burime bëjnë me dije se opozita është shprehur e gatshme të diskutojë nga dita e hënë këtë projektligj. Ndërkohë kjo datë e mbledhjes së komisionit pritet të dakordësohet mes kryetarit të Komisionit Fatmir Xhafaj dhe nënkryetarit Oerd Bylykbashi. Ligji i vlerësimit të gjyqtarëve, i njohur si ligji i vetingut, i cili, siç tha pak ditë më parë kreu i komisionit u është dhënë anëtarëve të komisionit të posaçëm që prej fillimit të muajit korrik është gati për tu diskutuar nen për nen dhe në tërësi, bashkërisht mes palëve. Ndërkaq EURALIUS iu drejtua Komisionit të Posaçëm pak ditë më parë me një draft, të këtij ligj në të cilin përfshiu edhe ndryshimet kushtetuese për vetingun, të miratuara konsensualisht mbrëmjen e 21 korrikut. Sa i përket 6 ligjeve të tjera që vijnë pas ndryshimeve kushtetuese e që pritet e të diskutohen në shtator në kuvend dhe të miratohen më pas në seancë, opozita nuk i ka në dispozicion versionet finale të miratuara vetëm nga mazhoranca në komision.
Advertisement