Librazhd | Gjendet trupi i 19 vjeçares në lumin Shkumbin

Policia ka identifikuar dy personat, të cilët dyshohen se janë mbytur në ujërat e lumit Shkumbin një ditë më parë, ndërsa kanë gjetur trupin e pajetë të 19 vjeçares Albina Karaj, nënë e një fëmije një muajshe. Mëngjesin e së mërkurës në fshatin Murrash, rreth 200 metra poshtë Urës së Kamarës, pranë fshatit Mirakë, një mjet tip Benz ra në ujërat e lumit Shkumbin. Policia në vendin e ngjarjes, bashkë me efektiva të shërbimit të zjarrëfikëseve, nisën kërkimet për nxjerrjen e kufomave dhe mjetit nga lumi Shkumbin, por duke parë se lumi kishte shumë rrjedhë, e domosdoshme ishte edhe ndihma e polumbarëve. Këta të fundit nisën kërkimet nga mbasditja e djeshme, duke bërë të mundur identifikimin e targës së mjetit me të cilin udhëtonin dy bashkëshortët. Pas verifikimit të targës, rezultoi se mjeti i përkiste 30 vjeçarit Ismet Karaj, banor i fshatit Dardhë, të Librazhdit. Specialistët e Komisariatit të Policisë së Librazhdit, në një hark kohor të shkurtër, bënë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ku nga deklarimet e marra nga familjarët e 30 vjeçarit Karaj, rezulton se ky shtetas mbrëmjen e së martës kishte qenë tek shtëpia e prindërve të bashkëshortes së tij, 19 vjeçares Albina Karaj dhe dje në mëngjes kanë dalë nga shtëpia, duke u drejtuar për në qytetin e Elbasanit.

Advertisement