Pas ofensivës së djeshme të kryengritësve në kryeqytet dhe në bunkerin e Gheddafit janë dorëzuar garda republikane dhe janë arrestuar dy prej djemve të kolonelit libian, trashëgimtari i postit Saif al Islam dhe djali tjetër Mohamed, ndërsa ende nuk bëhet e qartë kapja e djalit tjetër Saadi. Por, nuk duket asnjë gjurmë e kolonelit përveç një mesazhi audio të shpërndarë nga televizioni shtetëror rreth mesnatës së të dielës. Pas gjashtë muajsh luftimesh nëpër qytetet e mëdha të vendit kryengritësit kanë hyrë në kryeqytet nga të gjitha anët e vendit edhe nga deti, në perëndim të diellit kur përfundon edhe agjërimi ditor i muajit të shenjtë të Ramazanit. Rebelët kanë shtënë në dorë edhe ndërtesën e televizionit shtetëror libian, bën me dije Al Jazira. “Jemi në sheshin e gjelbër”, deklaruan kryengritësit libianë, duke festuar fitoren ndaj kolonelit. Në orët e vona të natës së të dielës qeveria e përkohshme në Bengazi do të bënte me dije lajmin se janë arrestuar familjarët e Gheddafit dhe se Garda e Republikës është dorëzuar duke lëshuar armët. Zëdhënësi i regjimit Musa Ibrahim duke folur në një konferencë për shtyp në televizionin shtetëror libian i bëri thirrje për bisedime me qeverinë e përkohshme të opozitës. Musa Ibrahim i bëri apel rebelëve dhe forcave të NATO-s të ndalin ofensivën, duke bërë me dije se gjatë 11 orëve të fundit janë vrarë 1300 persona, ndërsa 5000 vetë janë vrarë vetëm në kryeqytet. E menjëhershme ishte edhe përgjigjia e krerëve të kryengritjes në Bengazi, të cilët deklaruan se janë gati të ulin armët vetëm me kushtin që koloneli të lajmërojë ikjen e tij. Ndërkohë presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se regjimi i Muammar Gheddafit mbaroi për të mos u kthyer më. “Tirani libian duhet të ikë për të shmangur lumin e gjakut në rrugët e Tripolit”, tha Obama pas marrjes së Tripolit nga kryengritësit.