Libi | Avionët francezë nisin sulmet kundër forcave të Gheddafit

alt

Shenjestër e sulmit të parë të avionit francez ishin automjetet ushtarake, por nuk është saktësuar se për cilat bëhet fjalë. Agjensitë botërore njoftojnë se për në Libi tashmë janë nisur edhe aeroplanët luftarak britanik. Aeroplanët luftarakë francezë kanë hyrë para disa orësh në hapësirën ajrore të Libisë për të parandaluar sulmet nga forcat e Gaddafit ndaj bastionit të kryengritësve në qytetin Benghazi. Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian dhe të atij Afrikan, të Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe kanë zhvilluar konsultime në Paris, lidhur me hapat e tjerë kundër regjimit në Libi. Në një konferencë shtypi, menjëherë pas këtij takimi, presidenti francez Nicolas Sarkozy ka deklaruar se aeroplanët luftarakë francezë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Libisë, për të parandaluar sulmet nga forcat e Gaddafit, veçanërisht kundër qytetit Benghazi, ku njoftohet se ka pasur luftime të ashpra gjatë ditës. Sarkozy ka theksuar se kolonel Gaddafi ka shumë pak kohë në dispozicion për t`u dhënë fund sulmeve ndaj kryengritësve në vend. “Forcat tona ajrore do të kundërshtojnë çdo agresion”, ka thënë presidenti francez.

Advertisement