Lezhë, shpërndahen 1800 certifikata legalizimi

Procesi i legalizimit po shtrihet me shpejtësi në të gjitha qytetet.Lezha ishte pikëndalesa ku janë bërë 1800 leje legalizimi për banorët e zonave informale të saj, të realizuara në një vit e gjysmë, kundrejt 1300 lejeve të dhëna nga qeverisja e mëparshme në 8 vite të marra së bashku.
Kryeministri Rama dorëzoi personalisht certifikatat e legalizimit, të cilat u mirëpritën me shumë emocion prej banorëve, sot e tutje, pronarë të vërtetë të shtëpive të tyre.
Certifikata e parë ishte ajo për Gjon Lluckun nga bashkia Rubik, kërkesa për të cilën ishte bërë 15 vjet më parë. Me një falënderim nga zemra ai u shpreh i lumtur që premtimi për legalizimin falas ishte bërë realitet për të.
“Ka 15 vjet që kam bërë kërkesën për legalizim. Ju falenderoj nga zemra për mbajtjen e premtimit për legalizimin falas. Paçi jetën e gjatë dhe mbarësi! Falenderoj shumë edhe stafin e ALUIZNIT këtu. Na kanë pritur e përcjellë, në mënyrë shumë të kulturuar.”
Ndërsa qytetari Mark Përleshi falenderoi stafin e ALUIZNI-t për punën e përkushtuar dhe në ndihmë të banorëve “Së pari ju falenderojmë për punën e mirë të administratës për legalizimet. Ju falenderojmë dhe ju si Kryeministër dhe qeverinë për mbajtjen e fjalës”, u shpreh ai.
Takimi u zhvillua në sheshin qëndror të Lezhës, i cili ka një pamje të re pas rikonstruksionit disamujor.
Kryeministri Edi Rama tha se “Është kënaqësi që bëjmë takimin në këtë vepër të madhe publike të ndërtuar pas shumë vitesh, pasi ishte shndërruar në një parking makinash dhe ne vetëm në një vit bëmë ndryshime të dukshme në zemër të qyteti dhe në katër vitet e ardhshme me përfaqësuesin tonë që ju do të zgjidhni, ne do të bëjmë më shumë nga sa është bërë për 25 vite”, premtoi Rama.
Duke folur për legalizimet kreu i qeverisë tha se është hapur një kapitull i ri.
“Tani është hapur një kapitull i ri për legalizimin falas dhe sot me krenari për këtë hap të parë do të bëjmë që ekonomia familjare nga një strehë që nuk ekziston askundi, ta kthejmë në pasuri të patundshme dhe si një mundësi për ta patur garanci në banka për të bërë biznes në buqësi apo blegtori apo mbështetjen e fëmijëve në studime. Pra, nga kapitale të vdekura do t’i kthejme në kapitale aktive dhe çdo shpenzim që kane bërë qytetarët i kanë të regjistruar si kapitale”, shtoi kryeministri.

Advertisement