Qeveria Shqiptare i ka dorëzuar 6 lejet e para të legalizimit komuniteteve fetare në Shkodër. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, ishte të enjten në Shkodër, ku dorëzoi personalisht 4 leje legalizimi për Kishën Katolike dhe 2 për Myftininë.
Lame takoi myftiun Imam Muhamed Sytar, të cilit i dorëzoi lejet e legalizimit për xhaminë e fshatit Mjedë dhe Shtoj i Ri. Më pas, kreu i ALUIZNI-t u prit në Arqipeshkvinë e Shkodrës nga imzot Angelo Massafra, të cilit i dorëzoi katër leje, atë të Arqipeshkvisë së Shkodrës, një tjetër leje për ambiente shërbimesh, qendrën polivalente dhe ambiente kulti.
Lame tha se janë mbi 800 objekte të kultit në të gjithë vendin që nuk janë legalizuar, ndonëse prej vitesh kanë depozituar dosjet pranë ALUIZNI-t. Kreu i ALUIZNI-t tha se ka nisur trajtimi i tyre për t’i dhënë fund këtij procesi sa më shpejt.
“E keqja është se shteti shqiptar, në një çerek shekulli, ka bërë që edhe komunitetet fetare të detyrohen të ndërtojnë pa leje. Objektet e kultit janë ndërtuar në truall të tyre, në truall ku tradicionalisht ka patur një objekt kulti, pra nuk kanë zënë tokën e askujt. Megjithatë, prapë ky shtet nuk ka qenë në gjendje as t’u mbyllë letrat e kthimit të pronës, as t’u japë lejen e ndërtimit dhe as më pas, kur nuk i ka dhënë këto, të paktën lejen e legalizimit. Do mundohemi që me këtë veprim, me vazhdimin e procedurave të mbyllim një faqe turpi të historisë së shtetit shqiptar”, tha Lame.
Ai shtoi se “me përparësi gjatë këtyre ditëve do të trajtohen edhe emigrantët që kthehen pranë familjeve të tyre për të pushuar”. Me këtë rast, Lame u bëri thirrje t’u drejtohen zyrave të ALUIZNI-t për të kryer kërkesat për legalizimin e objekteve.
“Dyert në të 14 drejtoritë tona, të gjithë emigrantët i kanë të hapura për të vazhduar procedurat që nga vetëdeklarimi, tek përmbyllja e dokumentacionit dhe e marrjes së lejes së legalizimit në këtë periudhë që ata janë pranë familjeve të tyre”, deklaroi kreu i ALUIZNI-t.