Lazarat | Ministria e Brendshme-banorëve: Distancohuni nga elementët kriminalë që mbajnë peng fshatin

Policia e Shtetit po vazhdon me vendosmëri operacionin për kapjen e personave që kanë qëlluar me armë ndaj uniformave blu si dhe për identifikimin e shkatërrimin e sipërfaqeve të mbjella me lëndë narkotike në Lazarat.

Ministria e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen e saj drejtuar banorëve të Lazaratit, që të distancohen hapur dhe prerë nga elementët kriminalë që synojnë të mbajnë peng gjithë fshatin dhe të ardhmen e tij. Po ashtu në funksion të sigurisë së jetës dhe shëndetit të tyre u kërkohet të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, që të mos dalin nga banesat deri në përfundim të operacionit policor. Të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë. Banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor. Policia e Shtetit është e vendosur të godasë pa asnjë hezitim dhe pa paralajmërim këdo që do tentojë të dalë mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës, duke ju kundërvënë me armë uniformave blu.

Advertisement