Laboratori i drogës, lirohen dy nga të arrestuarit

Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë në dorëzim kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest me Burg” për 9 prej të arrestuarve në operacionin “Xibraku”.

Burime pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda bëjnë me dije se të shtunën gjykata e krimeve të rënda do të vendosi masën e sigurisë për 4 prej të pandehurve të laboratorit të drogës në Elbasan. Masës së sigurisë i kanë shpëtuar dy prej të dyshuarve të cilët u lanë të lirë nga hetuesia, Egest Dankësi dhe Fatmir Hoxha. Kjo, pasi sipas burimeve nga prokuroria, Dankësi dhe Fatmir Hoxha nuk kanë lidhje me trafikun e drogës por kanë vetëm raporte të afërta e njohje me disa prej të ndaluarve. Gjatë ditës së nesërme pritet të jepet masa e sigurisë për katër të ndaluar dhe konkretisht për dy kolumbianët Cezar Adolfo Avila, Walther Moren Juan Moreno dhe shqiptarët Ilir Hyseni dhe Ermal Hoxha, nipi i ish-dikatatorit Enver Hoxha. Të mërkurën u sekuestruan rreth 116 kg kokainë dhe si pjesë e bandës u arrestuan 11 persona dhe konkretisht Saimir Batku, 43 vjeç, Fatmir Hoxha 48 vjeç, Kastriot Imeri 47 vjeç, Gentjan Gjonaj 43 vjeç, Arjan Dalipi 50 vjeç, Kelment Dalipi 45 vjeç, Ilir Hyseni 47 vjeç, Ermal Hoxha 40 vjeç, Ergest Dankësi 27 vjeç dhe dy kolumbianët Cezar Adolfo Avila, 67 vjeç nga Kolumbia dhe Walther Moren Juan Moreno, 42 vjeç po nga Kolumbia. Grupi kriminal dyshohet se ka shtrirje ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve nga Amerika Latine në Ballkan dhe me destinacion Europën Perëndimore. Grupi siguronte lëndë me përmbajte të substancave narkotike dhe më pas i nënshtroheshin një procesi përpunimi dhe nxjerrjes së substancës të pastër kokaine në laboratorin e drogës në fshatin Xibrakë, me qëllim përdorimin në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Gjatë kohëve të fundit, me qëllim përpunimin sa më profesional të lëndës narkotike dhe përgatitjen përfundimtare të saj për treg, organizata kriminale ka rekrutuar dhe angazhuar në përbërjen e saj, dy shtetasit kolumbian, të arrestuar në këtë operacion.

Advertisement