“La La Land” konfirmohet filmi i vitit dhe dominoi në Golden Globe duke fituar 7 çmime për 7 nominime. U vlerësuan edhe aktorët protagonistë të muzikalit, Emma Stone dhe Ryan Gosling.

Në fjalimin e saj Meryl Streep, që mori çmimin e karrierës sulmoi Trump ”Nëse në Hollywood largojmë të gjithë ata që nuk kanë lindur këtu nuk do të ngelej gjë tjetër për të parë vetëm futboll dhe arte marciale, që nuk janë një art”.

Advertisement

“La La Land” konfirmohet kështu filmi i vitit duke shkuar drejt Oscar, si favoriti numër një.  Shtatë kandidatura kishte dhe shtatë çmime mori: filmi më i mirë, aktorët më të mirë protagonistë, Emma Stone e Ryan Gosling, skenografia më e mirë dhe regjisori më i mirë, i riu Damien Chazelle, kolona më mirë zanore dhe kënga më e mirë, “City of Stars”.

Ka thyer çdo rekord : është filmi që ka fituar më shumë çmime në historinë e Golden Globe, duke konfirmuar pasionin e vërtetë të gazetarëve të Hollywood Foreign Press Association për muzikalët, që nga edicioni i parë i 1952, kur fitoi “Një amerikan në Paris” i Vincente Minnelli.

Casey Affleck, vëllai i më të famshmit Ben, fitoi çmimin si aktori më i mirë dramatik për interpretimin e tij në “Manchester by the Sea”, film që pavarësisht parashikimeve në favorin e tij, nuk rezultoi si filmi më i mirë dramatik. Çmimi më i rëndësishëm i mbrëmjes shkoi për për filmin “Moonlight”.

Një tjetër surprizë, në mbrëmjen e Golden Globes, ishte edhe çmimi si aktorja më e mirë dramatike për Isabelle Huppert, për rolin e saj në filmin Elle, të Paul Verhoeven. Filmi në frëngjisht fitoi edhe në kategorinë si filmi më i mirë në gjuhën e huaj.