Kylie Jenner i hiqet statusi i miliarderes nga “Forbes”, akuzohet se ka gënjyer për pasurinë e saj

Kylie Jenner mesa duket është në telashe pasi revista prestigjoze “Forbes” (që e shpalli para disa kohësh si miliarderen më të re të historisë) postoi një artikull të gjatë ku e akuzon pjestaren e klanit Kardashian për rritje fiktive të pasurisë së saj. Sipas tyre, përfaqësuesit e Kylie-t kanë dorëzuar të dhëna fallso për vlerën e kthimit të taksave, në mënyrë që ajo të dukej më e pasur se ç’ishte në të vërtetë. Madje tani, duke qenë se pandemia e ka goditur dhe sektorin e bukurisë e make up-it, Kylie nuk është më as miliardere.

Sipas raportit, kompania “Kylie Cosmetics” është më e vogël dhe nxjerr më pak fitime nga ato që familja ka bërë publikun dhe mediat të besojnë përgjatë këtyre viteve. Kjo kompani konsiderohet si një biznes lider në fushën e kozmetikës dhe bukurisë, por mesa duket nuk është tamam ashtu. “Forbes” arriti në këtë përfundim pasi studioi dokumentat e “Coty”, konglomeratit që para pak muajsh bleu 51% të aksioneve të “Kylie Cosmetics”. Prisni se ka akoma.

Artikulli thotë se Kylie donte të dilte në kopertinën e “Forbes” që kur Kim Kardashian bëri daljen e saj në revistën prestigjoze. Pas përpjekjeve të shumta, Kim arriti të dalë në vitin 2016. Që nga ai çast, Kylie dhe partnerët e saj kanë ftuar shpesh përfaqësuesit e revistës në shtëpinë e saj, në zyrat e kompanisë. Po ashtu kanë ndërhyrë edhe në faturat e kthimit të taksave që kanë përfituar. Të dhënat e këtyre faturave janë me shumë gjasë të rreme.

Ndërkohë, tani që “Forbes” ka bërë llogaritë për shumë biznese dhe sektorë të ekonomisë që janë ndikuar nga pandemia e koronavirusit, kanë bërë vlerësimet e tyre dhe për “Kylie Cosmetics”. Sipas llogaritjeve, pasuria e Kylie Jenner tani është më pak se 900 milionë dollarë. Sigurisht, një pasuri marramendëse, por jo mjaftueshëm për të hyrë në listën e miliarderëve.

Familja Kardashian-Jenner ende nuk e kanë komentuar artikullin, por duke parë natyrën e tij dhe vëmendjen që po merr pritet ta thyejnë heshtjen shumë shpejt.

Ndërkohë unë po mendoj se si nuk kishim pasur më parë drama të tilla financiare. Sepse llojet e tjera të dramave i kemi të gjitha.

Burimi: News31.al