Është rrëzuar në seancën plenare të kësaj të enjteje kërkesa e PD për dërgimin e mandatit të deputetit Rakip Suli në Gjykatën Kushtetuese.
Votimit i parapriu një mbledhje e grupit parlamentar socialist. Kërkesa e opozitës, që e akuzon Sulin për përfitime të paligjshme fondesh publike në një kohë kur gëzon mandatin e deputetit, është rrëzuar me 77 vota kundër dhe 36 pro.
Në përfundim të votimit, ish-kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, “kusarizmi dominoi sot në Parlament” dhe ftoi qytetarët shqiptarë që “t’i japin përgjigjen më të fuqishme” këtij institucioni.
“Ky Parlament është shndërruar në mënyrën më kriminale të hapur në mbrojtëse të plaçkitjes së pasurive të qytetarëve nga ofiqarët e saj, duke filluar nga Edi Rama me Olsin e tij e duke përfunduar tek deputeti Suli, që javën e kaluar u shpreh i gatshëm të shkonte në gjykatë, por që sot e zuri frika dhe kërkoi mëshirë”, tha Berisha.
Ai ka vlerësuar se, “Rakipi është vetëm një peshk i vogël, por deputetët e mazhorancës mbrojnë plaçkën që ka bërë kryetari i tyre Edi Rama, me CEZ-in, TVSH-në që po merr tani, etj”.
“Koçoja kërcëlliti dhëmbët dhe këta të tjerët janë ushtarë të bindur të partisë. Këta nuk zbatojnë Kushtetutën dhe popullit i lind e drejta t’i qërrojë këta puçistë”, ka thënë Berisha.
Më tej, ai i është përgjigjur me kundërakuza deputetit Taulant Balla, që më herët në Parlament e bëri ish-kryeministrin përgjegjësin kryesor për tragjedinë e Gërdecit.
“Taulant Balla është denoncuar nga Sali Berisha vite më parë si veikël droge. Është pjesë e klanit Hoxha të Librazhdit, që ka qenë miku i tij i ngushtë, por që u kap dhe u ekstradua në Itali. Gjithashtu, është mik i ish-presidenti i klubit të Shkumbinit, që kaloi doganën e Tre Urave me makinën e Taulantit. Taulanti ka interesa mafioze dhe jo interesat e ligjit”, ka thënë Berisha.
Sa për zgjedhje të parakohshme, ai ka theksuar se, “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, ndaj dhe populli duhet të gjejë zgjidhje”. “Të kesh frikë nga Ben Blushi është njësoj si të kesh frikë nga hija jote”, ka komentuar më tej ish-kryeministri.