Kuvend, PD kërkon largimin e Metës; Balla: Opozita s’ka moral ta kërkojë këtë

Seanca plenare e së enjtes ka nisur sërish me kërkesën kryesore të Partisë Demokratike për largimin nga detyra të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, duke iu referuar mungesës në seancë të Metës, i cili ndodhet në Zvicër për vizitë zyrtare, tha se kryetari i Kuvendit po i fshihet qytetarëve. “Qytetarë që janë mbledhur jashtë parlamentit për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit në ikje të parlamentit. Meta e mbylli parlamentin për 12 minuta nga frika se do të përballej me qytetarët, nga ata mijëra që ishin mbledhur në shesh, për të kërkuar dekriminalizimin e kuvendit, largimin e Metës. Sot kryetari në ikje i është fshehur sërish qytetarëve”, tha Halimi. Halimi kërkoi dorëheqjen sa më parë të Metës, i cili, sipas demokratëve, është porositës për vrasjen e dy deputetëve. Por akuzave dhe kërkesave të opozitës për dorëheqje të kryetarit të Kuvendit në seancën parlamentare të kësaj të enjteje iu përgjigj deputeti socialist Taulant Balla. Duke komentuar protestën e opozitës, Balla e cilësoi atë si një manifestim të shterpë të organizuar nga persona që sipas tij nuk kanë moral për të protestuar. “Protesta e sotme e opozitës mbaroi ende pa filluar. Ne lejojmë çdo protestë, por jo ato të atyre personave që nuk kanë asnjë të drejtë morale të protestojnë si Saliu dhe Luli, bashkë me drejtorët e Bashkisë së Tiranës”, deklaroi Balla. Sipas tij, kërkesat e opozitës janë absurde kur kryetari i saj akuzohet për tre vepra të rënda penale si vrasje, vjedhje dhe atë që ai e ka quajtur “tradhëti kombëtare”. “Nuk ka asnjë lloj morali kur kërkon llogari personi që është akuzuar për vrasjen e 4 qytetarëve, për vjedhjen e 230 milionë eurove dhe për tradhëti kombëtare. Kush në Shqipëri i ka këto akuza? I vetmi është Lulzim Basha”, vijoi Balla. Deputeti socialist hodhi akuza edhe ndaj ish-kryeministrit Berisha, të cilin e konsideroi përgjegjës për një seri atentatesh me tritol të verifikuara në vend. “Policia ka ndaluar një makinë me tritol që mbante flamurin e PD. Berisha është përgjegjës për tritolin dhe lidhjet me bandat e tij”, shtoi Balla. Më pas në seancë u miratua protokolli i bashkëpunimit të MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së.

Advertisement