Kuvend, Kokëdhima: Saliu më vuri bori kundër Ristanin e dehur

Kuvendi pritet të votojë në seancë plenare raportin e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të PD-së, ku kërkohet mbarimi i mandatit të deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima.
I mbledhur një ditë më parë, Këshilli vendosi që në seancën e sotme të votohen dy raporte të ndryshme, ku shprehet mendimi i të dy palëve në Kuvend.
Mazhoranca kërkon që parlamenti të mos e pranojë kërkesën e PD-së, ndërsa opozita përfundimin e mandatit të deputetit socialist dhe dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Në emër të mazhorancës, deputetja socialiste Vasilika Hysi prezantoi në seancë raportin e anëtarëve të shumicës në Këshillin e Mandateve. Ajo tha se kërkesa e kolegëve të opozitës për të kërkuar heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima nuk ka bazë ligjore dhe kushtetuese.
Deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani, nga ana e tij, tha se mazhoranca po mbron deputetin Koco Kokëdhima përmes forcës së kartonit në Kuvend.
“Pas marrjes së mandatit përfitimi nuk është 1 dollar dhe janë 150 raste që paratë kanë hyrë në xhepat e deputetit Kokëdhima. Kërkon të mbrohet nëpërmjet kartonit të shumicës parlamentare. Vendimi i Ramës për të mbrojtur deputetin është rast i paprecedentë për parlamentarizmin. Nuk ka ndodhur që në sy të gjithë shqiptarëve deputeti të shkelë në mënyrë flagrante kushtetutën dhe kryeministri t’ia fshehë drejtësisë. Me apo pa dakordësinë e pozitës, kjo çështje do të paraqitet në kushtetuese. Nëse do pengoni kushtetuesen të shqyrtojë çështjen është tregues i cenimit të demokracisë në këtë vend”, u shpreh Ristani.
Në reagimin e tij nga foltorja e Kuvendit, deputeti Kokëdhima sqaroi të gjitha rastet për të cilat e akuzon opozita.
Sipas tij nuk përbën shkelje të ligjit fakti që një deputet të jetë aksioner, dhe për ta ilustruar përmendi radhazi emrat e deputetëve të Kuvendit të cilët kanë aksione në kompani të ndryshme.
Kokëdhima i ka cilësuar një fushatë shpifjesh akuzat e ardhura nga opozita në lidhje me përfitimin e fondeve publike përmes kompanisë Abissnet gjatë kohës që ishte deputet. Kjo sipas tij, është një fushatë e ndërmarrë personalisht nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili sipas deputetit Kokëdhima, ka angazhuar kundër tij edhe familjen.
Po ashtu, zoti Kokëdhima tha se  Berisha përdori për të shprehur argumentet e opozitës deputetin Arben Ristani, të cilin deputeti socialist u shpreh për herë të parë se ka lidhje fisnore. Por nuk nguroi t’i kujtojë atij edhe mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku i këshilloi që të mos pijë më alkool.
“Dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time për zotin Ristani i cili u zgjodh të përdoret nga Saliu në këtë seancë kundër meje. Ristani është nip në fshatin tim por gjyshi i Ristanit ishte Pllatua, qe kushëri i parë me gjyshin tim. Pllatano e kish bërë Bllagjia motra e Mitros, dhe mund të kish zgjedhur Saliu një bori tjetër për ta përdorë kundër meje. Kam një këshillë për ty, Ristan. Ishe i dehur në komisionin e mandateve, ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tre herë. Një herë si nip në fshatin tim, një herë si kushëri, dhe një herë si deputet i opozitës. Ti ke shkelur ligjin, por unë nuk kam nevojë të ndërmarr iniciativa kundër teje.”
Deputeti socialist tha se pavarësisht fushatës së shpifjeve që sipas tij ka ndërmarrë opozita, përgjigjen do ta marrë me 21 Qershor.

Advertisement