Kuvend, Blushi tregon se është kërcënuar nga Elvis Roshi

Deputeti Ben Blushi, në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ka akuzuar sërish kryeministrin Rama për futjen e elementëve të inkriminuar në politikë.
Duke iu drejtuar ish-mikut të tij, Blushi ka lexuar edhe një mesazh që, siç tha ai, tregon se kryetari i Bashkisë së Kavajës, ndryshe prezantohet dhe ndryshe e prezantojnë.
“Nuk e kuptoj se si Roshi thotë se nuk më mbahet mend përse jam arrestuar në Gjermani. Më ka ardhur një mesazh. ‘O Blush, jam Elvis Roshi. Nuk kam bërë asnjë krim’. I drejtohem Ramës, si e ka emrin ky Ervin, siç thua ti? Apo Elvis, siç thotë ai?”, ka thënë Blushi, i cili ka vijuar me pyetjet e tij.
“Pse po ia nxin faqen këtij vendi? Ku e ke këtë aftësi për të grumbulluar kaq shumë të paaftë? Ku e gjen ky këtë guxim Roshi të më shkruajë mua? Është me ty”, ka thënë Blushi.
Pas Blushit ka reaguar kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili e ka cilësuar kërcënimin e kolegut të tij si një veprim të papranueshëm, ndaj të cilit duhet të merren masa.
“Jemi dëshmitarë të një kërcënimi, të një krimi. Çfarë mesazhi i japim elektoralit? Kryetar, ju duhet të merrni masa. Ndoshta kryeministri nuk e sheh si përgjegjësinë e tij, por ne kemi detyrën tonë”, ka deklaruar Dule.
Sipas tij, në një situatë të tillë ligjet dhe reformat nuk kanë kuptim. “Nëse kemi arritur në pikën kur një koleg kërcënohet dhe nuk e vrasim mendjen, të tjerat nuk kanë kuptim. Ç’dekriminalizim do të kemi? Ç’reformë në drejtësi do të kemi”, është shprehur Dule.
Reagimeve u është bashkuar edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, i cili i ka cilësuar si normale kërcënimet që mund t’u bëhen njerëzve kur kryeministër është Rama.
“Këtu, po të jesh kundërshtari i Edi Ramës kërcënohesh dhe të bëhen të gjitha të zezat dhe kryeministri qesh e ngërdheshet”, ka thënë Paloka.
Deputeti demokrat ka përsëritur akuzat e bëra më herët ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për fshehje të emrave të politikanëve të inkriminuar.
“KQZ nuk po publikon të dhënat pikërisht për kriminelët që mbron ky kryeministër. Situata ka arritur aty kur s’mban më dhe ju zoti kryetar nuk mund ta lejoni të kalojë kështu”, ka thënë Paloka duke iu drejtuar Ilir Metës.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit ka bërë me dije se, do të ftojë për bisedë deputetin Blushi dhe më pas do të shqyrtojë masat që mund të merren.
Ndërsa deputetja e PD, Jozefina Topalli ka akuzuar kryeministrin se ka promovuar eksponentë të krimit të organizuar, përfshirë këtu Roshin dhe Mark Frrokun dhe ka theksuar se, “reforma më e madhe në këtë vend është heqja e Edi Ramës”.

Advertisement