Kushtetuesja nis shqyrtimin e cështjes Kokëdhima

Foto Arkiv

Gjykata Kushtetuese ka nisur sot shqyrtimin e kërkesës së Parlamentit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist Koco Kokëdhima. Në një prononcim për mediat pas seancës së parë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, përsëriti edhe një herë akuzën se deputeti Kokëdhima ka përfituar nga fondet publike në më shumë se 150 raste si dhe ka kryer veprimtari private ndërkohë që ushtronte funksionin e tij si deputet i Kuvendit. “Unë shpresoj që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë në këtë rast, i cili do të çojë në mbarimin e mandatit të deputetit Kokëdhima duke shpresuar njëkohësisht që gjyqtarët nuk do të jenë marrë në telefon për t’u thënë që do t’u këpusim këmbët si në rastin e gjyqtares së Krujës dhe nga ana tjetër mendoj se e kam të vështirë të besoj që qeveritarët e sotëm nuk do të dërgojnë Shullazët për t’u bërë presion edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ashtu siç po bëjnë ndaj kandidatëve për rektor të universiteteve, ashtu siç kanë bërë për garat e tyre të brendshme në parti. Sot ishte e çuditshme, fakti që i gjithë grupi parlamentar i PS ishte në seancën e gjykimit, dukej qartë një lloj presioni ndaj Gjykatës”, u shpreh Ristani.

Advertisement